Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane falë formës së tij këtë sezon.
Sipas raportimit të Bild, dy skuadra nga Premier League, Chelsea dhe Tottenham Hotspur, janë të interesuara për 23-vjeçarin dhe e shohin si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar veror.
Interesimi nuk mungon as nga Gjermania, pasi Bayern Munich është gjithashtu në garë për shërbimet e tij, duke shtuar konkurrencën për transferimin e mundshëm.
Asllani, i cili aktivizohet te TSG Hoffenheim, ka pasur një sezon të mirë në Bundesliga, duke realizuar 8 gola dhe duke dhënë 5 asistime në 25 ndeshje.
Performancat e tij të mira kanë bërë që më herët të lidhet edhe me një kalim të mundshëm te FC Barcelona, duke konfirmuar rritjen e tij në skenën ndërkombëtare.









