Kompanisë Union Sh.P.K, e cila është e autorizuar për distribuimin e produkteve ushqimore për fëmijët, po i dalin probleme të vazhdueshme me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Union Sh.P.K, e cila është në pronësi të biznesmenit vushtrrias Xhabir Kajtazit, për herë të dytë nuk ka arritur ta sigurojë cilësinë e produktit ushqimor të foshnjeve ‘Aptamil’. Kësaj radhe, AUV’i ia ka tërhequr nga tregu APTAMIL AR-2 për shkak të prezencës së një toksine.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri“, thuhet në njoftimin e AUV’it.
Para një muaji, së njëjtës kompani në APTAMIL iu është gjetur prania e bakteries Bacillus cereus, e cila mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë arsye, ishte kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu.
“Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në njoftimin e AUV.
Pronar i kompanisë Union SHPK është Xhabir Kajtazi, i cili ishte në mesin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Toka”, në të cilin pretendohet se më shumë se 50 persona kanë bashkëpunuar për të përvetësuar prona shtetërore te personat fizik dhe duke shkaktuar dëm të madh buxhetit të shtetit.
Kajtazi me disa të tjerë akuzohej për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.
Së fundmi, Kajtazi ka pasur një kontest gjyqësor me avokatin e tij, Ahmet Tahiri, për të cilin pretendonte se nuk ia kishte ekzekutuar një shumë të hollash në xhirollogarinë e tij.
Tahiri, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ rikujtoi se si Kajtazi e kishte akuzuar “pa të drejtë” duke e çuar në gjykatë për një kontest.
“Gjatë punës time si avokat, gjithmonë jam munduar maksimalisht që të tregoj profesionalizmin dhe korrektësinë me palët. Kohë më parë, pata një rast të pazakontë me një palë që më akuzoi pa të drejtë. I befasuar nga sjellja e tij, rasti përfundoi në gjykatë. Por, ende pa marr epilog kontesti jonë gjyqësor, dolën në sipërfaqe veprime të errëta në të cilat ky person është përfshirë”, ka deklaruar Tahiri.
“Sot, kur e shoh se në çfarë punësh të pista paska qenë i futur, e kam të qartë se pse një njeri i tillë ishte në gjendje të merrej me lloj lloj intrige dhe të pavërtete. Besoj tashmë e ka të qartë edhe publiku”, vijonte reagimi i tij.








