Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, së bashku me kandidatin për Kuvendin Komunal, Kushtrim Hyseni, zhvilluan një takim të ngrohtë me qytetarë, familjarë dhe mbështetës të shumtë gjatë pasdites së sotme.
Në këtë takim, Idrizi u shpreh thellësisht i motivuar nga përkrahja e sinqertë dhe energjia pozitive që po merr nga qytetarët në çdo cep të komunës.
“Energjia dhe besimi i qytetarëve janë motivimi më i madh për mua që të vazhdoj këtë rrugëtim dhe të kërkoj mandatin tim të dytë, për ta çuar Vushtrrinë edhe më përpara,” theksoi Idrizi.
Ai nënvizoi se përvoja e mandatit të parë është një bazë solide për të vazhduar me projekte të reja, duke u mbështetur në punët konkrete që tashmë janë realizuar.
“Siç e kemi dëshmuar më parë – jo me fjalë, por me projekte dhe rezultate konkrete,” shtoi ai.









