Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë (PD) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke theksuar korrektësinë, respektin reciprok dhe partneritetin e sinqertë politik gjatë gjithë fushatës.
Edhe pse ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në përbërjen e re të Kuvendit, Agani theksoi se kjo nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë e PD-së për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese.
Ai u shpreh se, pavarësisht faktit që personalisht nuk arriti të sigurojë mandat deputeti, përkrahja qytetare e marrë përbën një motiv shtesë për angazhim të mëtejmë politik dhe institucional.
Sipas Aganit, Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe programit të saj politik dhe shpreh gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në kontekstin e zhvillimeve të ardhshme politike, Agani theksoi se vendi përballet me vendime të rëndësishme institucionale, duke nënvizuar nevojën për maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak, parime që, sipas tij, Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe promovojë.
Në fund, Kryetari i PD-së falënderoi votuesit për mbështetjen e dhënë, strukturat e Partisë së Drejtësisë për angazhimin e tyre, si dhe partnerët politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë procesit zgjedhor.








