Federata Irlandeze e Futbollit ka publikuar një njoftim për tifozët që do të udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së enjtes ndaj Kosovës, duke i cilësuar Prishtinën dhe Kosovën si destinacione të sigurta dhe mikpritëse, por duke dhënë edhe disa këshilla për sjelljen e tyre.
Një ditë para përballjes Kosovë-Irlandë në stadiumin “Fadil Vokrri”, Federata Irlandeze e Futbollit u ka bërë thirrje tifozëve të saj që të tregohen të kujdesshëm gjatë qëndrimit në Prishtinë, veçanërisht në zonat me shumë njerëz.
“Prishtina në përgjithësi konsiderohet qytet i sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë. Si në çdo ngjarje të madhe sportive, tifozët këshillohen të tregohen të kujdesshëm me gjërat e tyre personale në zona me shumë njerëz”, thuhet në njoftimin e federatës irlandeze.
Një pjesë e veçantë e këshillave u kushtohet flamujve që tifozët irlandezë mund të shfaqin gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Kosovës.
“Flamuri i Kosovës (dhe i vendit motër, Shqipërisë) është shumë i spikatur në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit (aktualë ose të kaluar)”, thuhet më tej në njoftim.








