Ish-shefi i Shërbimit Sekret Fatos Klosi, ka folur lidhur me akuzat e Speciales për UÇK-në, në kuadrin e protestës së ndodhur në Tiranë ditën e sotme.
Klosi është shprehur se ka qenë i pranishëm në mbledhjen e parë të të gjithë komandantëve të UÇK-së.
Ai shprehet se, sipas tij, ndoshta të gjithë komandantët janë takuar aty për herë të parë.
“Unë e di sa e vështirë ka qenë komunikimi midis zonave. Kini parasysh që atje celularët i kontrollonte Serbia, përdornin marifete. Një gjë mund t’ju them, që unë kam qenë në mbledhjen e shtabit të përgjithshëm mbasi mbaroi lufta, kur u tentua të merreshin vesh, ku NATO kërkoi çarmatimin e UÇK-së.
Në atë mbledhje ku kam qenë unë, janë takuar të gjithë komandantët e UÇK-së, mbase aty u takuan për herë të parë të gjithë, në atë mbledhje. Të tilla ishin rrethanat. Komunikimi ishte i vështirë. Pastaj, pas periudhës së dytë, aty ku flet akuza, nuk ishte më UÇK ajo që kontrollonte situatën, as më para se ta kontrollonte. Kështu që i quaj akuza të sajuara. Si u bënë të mbyllura me pretekstin që gjoja intimidoheshin dëshmitarët”, tha Klosi.









