Familja e heroit të kombit, Sali Çekaj, ka shprehur mbështetjen për emrin e Faton Bislimit për postin e presidentit të Republikës së Kosovës.
Emri i Bislimit është propozuar nga ish-ambasadori dhe miku i madh i Kosovës, William Walker, i cili u ka dërguar letër liderëve të partive politike.
Në mbështetje të këtij propozimi ka dalë edhe familja Çekaj, e cila ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook nga Smajl Çekaj, vëllai i heroit të kombit.
“Në emër të Familjes Çekaj, si vëlla i Heroit të Kombit Sali Çekaj, ish-veprimtar dhe ish-bashkëpunëtor i tij, shpreh mbështetjen time të fuqishme për propozimin e Ambasadorit William Walker që Dr. Faton Bislimi të jetë President i Republikës së Kosovës. Familja Çekaj e sheh këtë propozim si një vlerësim të merituar për një veprimtar të përkushtuar, një zë të fuqishëm të Kosovës dhe një personalitet me vizion e përvojë ndërkombëtare”, thuhet në postimin e tij.
Smajl Çekaj ka thënë se, në emër të kujtimit, sakrificës dhe amanetit të heroit Sali Çekaj, familja mbështet njerëzit që i shërbejnë Kosovës me dinjitet, guxim dhe përkushtim.
“Dr. Faton Bislimi meriton mbështetjen dhe besimin tonë, i dëshmuar në çdo periudhë të proceseve politike”, ka shkruar Smajl Çekaj.








