Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj biznesmenit Zekë Jasiqi, i akuzuar për fajde dhe detyrim në rastin ku palë e dëmtuar është Faton Dalladaku.
Shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të mërkurën, më 23 shtator, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së prokurorit, dëshmitarit dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar.
Në qendër të akuzave janë marrëdhëniet financiare mes Jasiqit dhe Dalladakut, përfshirë një borxh të pretenduar prej 160 mijë eurosh dhe një shtëpi në Fshatin Amerikan, me vlerë 700 mijë euro.
Sipas detajeve të publikuara të aktakuzës, Prokuroria pretendon se Jasiqi, gjatë periudhës shtator 2014–shkurt 2015, përmes presionit dhe kanosjeve, i kishte imponuar Dalladakut një borxh prej 160 mijë eurosh, i cili, sipas akuzës, nuk kishte ekzistuar.
Më pas, Dalladaku kishte kërkuar një huazim prej 200 mijë eurosh për të paguar këstin e fundit të shtëpisë, për të cilën kishte paguar paraprakisht 500 mijë euro. Prokuroria pretendon se ishte hartuar një marrëveshje për detyrim prej 360 mijë eurosh, me kamatë mujore prej një për qind.
Sipas akuzës, shtëpia kishte kaluar në emër të Jasiqit, ndërsa Dalladaku kishte mbetur pa pronën dhe pa shumën e investuar prej 500 mijë eurosh.
Jasiqi i ka mohuar akuzat. Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 27 tetor 2023, ai ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i ngarkohen.
Mbrojtja, ndërkaq, kishte kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se paratë ishin dhënë për veprimtari biznesore dhe se kamata ishte përcaktuar me marrëveshje për mbulimin e kostos së huamarrjes bankare.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








