Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore me një tubim masiv, i cili po cilësohet si një dëshmi e fuqishme e rikthimit të madh të këtij subjekti politik.
Në këtë ngjarje, përveç strukturave qendrore, vëmendje të veçantë ka marrë edhe mbështetja e madhe për kandidatët për deputetë.
Në mesin e tyre, kandidati nga radhët e LDK-së, Fadil Geci, ka reaguar menjëherë pas përfundimit të tubimit, duke shprehur entuziazmin e tij për atmosferën dhe përkrahjen e jashtëzakonshme të qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Geci ka theksuar se kjo pjesëmarrje masive tregon qartë se fryma e fitores është rikthyer te LDK-ja.
“Sot, në hapjen madhështore të fushatës së LDK-së, u pa fuqia e bashkimit dhe besimit të qytetarëve. Energjia e jashtëzakonshme, mbështetja e madhe dhe besimi i njerëzve treguan qartë se fryma e fitores është kthyer fuqishëm. Kur bashkohet populli, nuk ka forcë që e ndal ndryshimin!“, ka shkruar ai.
Geci, i cili në këto zgjedhje mban numrin 42 në listën e LDK-së me numër 113, ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi, duke e konsideruar votën e tyre si përcaktuese për të ardhmen e vendit.








