Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime në vit larg banesës së tyre.
Sipas të dhënave të Eurostat, që për Europën i takojnë vitit 2025 dhe për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve në Shqipëri e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet për 1 javë pushime.
Shqipëria renditet e dyta pas Rumanisë, ku kjo përqindje kalon 60%, ndërsa pas Shqipërisë renditen Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Të dhënat tregojnë se pamundësia për të bërë pushime është veçanërisht e përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.
Në këtë tregues, Shqipëria është shumë më dobët edhe se rajoni. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari përqindja arrin afërsisht në 39%. Italia regjistron një nivel prej rreth 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32-33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse sa gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se pamundësia për të kryer një javë pushime prek proporcionalisht gati dy herë më shumë familjet shqiptare sesa ato në BE.
Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk kanë mundësi të kryejnë një javë pushime.
Edhe pse pushimet nuk konsiderohen shpenzim bazë, pamundësia për t’i financuar përdoret si një tregues i rëndësishëm i standardit të jetesës dhe i privimit material.
Treguesi i Eurostat nuk mat nëse një person ka shkuar realisht me pushime, por nëse familja ka mundësi financiare të paguajë një javë larg shtëpisë. Pushimet mund të bëhen brenda ose jashtë vendit. Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk konsiderohet automatikisht e privuar.








