Shtetet e Bashkuara duan që Evropa të marrë përsipër shumicën e aftësive mbrojtëse konvencionale të NATO-s, nga inteligjenca te raketat, deri në vitin 2027, u thanë zyrtarët e Pentagonit, diplomatëve në Uashington këtë javë, një afat i shkurtër që disa zyrtarëve evropianë iu duk jorealist.
Mesazhi, i rrëfyer nga pesë burime të njohura me diskutimin, përfshirë një zyrtar amerikan, u përcoll në një takim në Uashington këtë javë të stafit të Pentagonit që mbikëqyr politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve evropiane.
Zhvendosja e kësaj barre nga SHBA-ja tek anëtarët evropianë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut do të ndryshonte në mënyrë dramatike mënyrën se si Shtetet e Bashkuara, një anëtar themelues i aleancës së pasluftës, punojnë me partnerët e tyre më të rëndësishëm ushtarakë.
Në takim, zyrtarët e Pentagonit treguan se Uashingtoni nuk ishte ende i kënaqur me hapat që Evropa ka bërë për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse që nga pushtimi i zgjeruar i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Zyrtarët amerikanë u thanë homologëve të tyre se nëse Evropa nuk e përmbush afatin e vitit 2027, SHBA-të mund të ndalojnë së marri pjesë në disa mekanizma koordinimi mbrojtës të NATO-s, thanë burimet, të cilat kërkuan anonimitet për të diskutuar bisedat private.
Disa zyrtarë në Capitol Hill janë të vetëdijshëm dhe të shqetësuar për mesazhin e Pentagonit drejtuar evropianëve, tha një zyrtar amerikan.
Aftësitë mbrojtëse konvencionale përfshijnë asete jo-bërthamore, nga trupat te armët, dhe zyrtarët nuk shpjeguan se si SHBA-të do ta matnin progresin e Evropës drejt mbajtjes së pjesës më të madhe të barrës.
Gjithashtu nuk ishte e qartë nëse afati i vitit 2027 përfaqësonte qëndrimin e administratës Trump apo vetëm pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit. Ka mosmarrëveshje të konsiderueshme në Uashington mbi rolin ushtarak që duhet të luajnë SHBA-të në Evropë.
Disa zyrtarë evropianë thanë se një afat deri në vitin 2027 nuk ishte realist, pavarësisht se si Uashingtoni e mat progresin, pasi Evropa ka nevojë për më shumë sesa para dhe vullnet politik për të zëvendësuar disa aftësi të SHBA-së në një afat të shkurtër.
Ndër sfida të tjera, aleatët e NATO-s përballen me prapambetje në prodhim për pajisjet ushtarake që po përpiqen të blejnë. Ndërsa zyrtarët amerikanë e kanë inkurajuar Evropën të blejë më shumë materiale të prodhuara në SHBA, disa nga armët dhe sistemet mbrojtëse më të çmuara të prodhuara në SHBA do të duheshin vite për t’u dorëzuar nëse porositen sot.
SHBA-të gjithashtu kontribuojnë me aftësi që nuk mund të blihen thjesht, si inteligjenca, mbikëqyrja dhe zbulimi unik që kanë rezultuar çelësi i përpjekjeve të luftës në Ukrainë.
I pyetur për koment, një zyrtar i NATO-s që fliste në emër të aleancës tha se aleatët evropianë kishin filluar të merrnin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, por nuk komentoi mbi afatin e vitit 2027.
“Aleatët e kanë njohur nevojën për të investuar më shumë në mbrojtje dhe për të zhvendosur barrën mbi mbrojtjen konvencionale” nga SHBA-të në Evropë, tha zyrtari.
Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Kombet evropiane e kanë pranuar gjerësisht kërkesën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që ato të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe janë zotuar për rritje të mëdha të shpenzimeve të mbrojtjes.
Bashkimi Evropian ka vendosur një objektiv për ta bërë kontinentin gati për t’u mbrojtur deri në vitin 2030 dhe thotë se duhet të plotësojë boshllëqet në mbrojtjen e tij ajrore, dronët, aftësitë e luftës kibernetike, municionet dhe fusha të tjera. Zyrtarët dhe analistët thanë se edhe ky afat është shumë ambicioz.
Administrata Trump ka argumentuar vazhdimisht se aleatët evropianë duhet të kontribuojnë më shumë në aleancën e NATO-s, por nuk është gjithmonë e qartë se cili është qëndrimi i presidentit për NATO-n.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump sulmoi shpesh aleatët evropianë dhe tha se do ta inkurajonte Presidentin rus Vladimir Putin të pushtonte vendet e NATO-s që nuk shpenzonin pjesën e tyre të drejtë për mbrojtje.
Por në samitin vjetor të liderëve të NATO-s në qershor, Trump i vlerësoi me entuziazëm liderët evropianë për rënien dakord me një plan të SHBA-së për të rritur objektivin vjetor të shpenzimeve të mbrojtjes për shtetet anëtare në 5% të produktit të brendshëm bruto.
Në muajt që nga ajo kohë, Trump është luhatur midis një linje më të ashpër ndaj Rusisë, kundërshtares kryesore të bllokut, dhe së fundmi, një gatishmërie për të negociuar me Moskën mbi konfliktin në Ukrainë. Zyrtarët evropianë janë ankuar se ata u përjashtuan kryesisht nga këto negociata.
Në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s këtë javë, Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, tha se ishte “e qartë” që aleatët e NATO-s duhet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e Evropës.
“Administratat e njëpasnjëshme të SHBA-së e kanë thënë këtë në një formë ose në një tjetër pothuajse gjithë jetën time, por administrata jonë e mendon atë që thotë”, shkroi Landau në X. /Përshtatur nga Reuters/






