Në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës po synojnë të sigurojnë përfaqësim në Kuvendin e Serbisë përmes një liste të përbashkët.
Të drejtën e votës e ka shfrytëzuar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin masivisht në votime.
Sinani e ka cilësuar këtë ditë si vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.
“Unë ftoj masivisht qytetarët të dalin sot, të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Dita e sotme është vendimtare, është jetike për të ardhmen, jo vetëm të rajonit, por kryesisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Andaj mos hezitoni, dilni me të gjithë anëtarët e familjes dhe përgjigjuni ditës së sotme”, ka deklaruar Sinani.
Ajo e ka cilësuar procesin zgjedhor si një lloj referendumi për shqiptarët e Luginës, duke ritheksuar thirrjen për pjesëmarrje sa më të madhe në votime.
“Sot ky proces zgjedhor mendoj se është referendum në vete, andaj dilni masovikisht”, ka thënë Sinani.








