Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar se vendi i tij do të vazhdojë të udhëheqë misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) deri në fund të shtatorit 2026.
Duke folur pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, Erdogan theksoi angazhimin e Turqisë në operacionet e Aleancës dhe rolin e saj në ruajtjen e sigurisë rajonale.
“Do të vazhdojmë komandën e Operacionit të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë, të cilën e morëm në tetor, deri në fund të shtatorit të vitit 2026”, deklaroi presidenti turk.
Ai shtoi se Turqia do të marrë gjithashtu komandën e Forcës Reaguese të NATO-s gjatë periudhës 2028–2029, duke e cilësuar vendin e tij si një nga shtyllat kryesore të Aleancës.
Sipas Erdoganit, Turqia disponon ushtrinë e dytë më të madhe tokësore në NATO dhe për dekada ka luajtur një rol kyç në garantimin e sigurisë në krahun juglindor të Aleancës.
Presidenti turk vlerësoi gjithashtu Samitin e NATO-s të mbajtur në Ankara si një takim historik, duke thënë se vendimet e marra do të kenë ndikim në të ardhmen e sigurisë euroatlantike dhe në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare.








