Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar në Samitin e 17-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO), duke mbajtur fjalim në Khankendi, Azerbajxhan, se politikat gjithnjë e më agresive të Izraelit nën administratën aktuale po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ai kritikoi qeverinë e Netanyahut, duke e akuzuar se po kthen Rajonin në një “pellg gjaku”, dhe theksoi domosdoshmërinë e mosbraktisjes së kauzës palestineze.
Për më tepër, Erdogan foli edhe për situatën në Afganistan, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes për sigurinë, paqen dhe zhvillimin në këtë vend.
Ndërsa për Qiproin turk, ai bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit në sport, kulturë, ekonomi dhe turizëm, për të forcuar lidhjet rajonale.
Duke kaluar në fushën e energjisë së pastër, Erdogan prezantoi Planin Kombëtar të Veprimit për Efikasitetin e Energjisë 2024–2030, me objektiv për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit me 100 milionë tonë. Ai përmendi gjithashtu projektin “Zero Mbeturina”, i cili sipas tij ka parandaluar rreth 6 milionë tonë emetime gazrash serrë.
Ky Samit mbahet me temën, “Vizioni i ri i ECO-s për një të ardhme të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.”






