Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Ishte një kohë kur “Shtëpia e Verdhë” u bë kryefjala e lajmeve jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në mediet ndërkombëtare. Rreth 20 vite më parë Serbia shpiku ekzistencën e kësa “shtëpie” në fshatin Gur-Bardhë të Matit. Mediet e kohës përhapën lajmin se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte përdorur këtë shtëpi në majë një mali për të transplantuar organet e brendshme të viktimave serbe, të cilat, sipas medieve dhe propagandës serbe, u shiteshin spitaleve të ndryshme në Europë. Politikani zviceran, Dick Martty, ishte njeriu që shfrytëzoi autoritetin e tij në Këshillin e Europës dhe garantoi vërtetësinë e këtij lajmi. Në fakt burimi kryesor i këtij fabrikimi ishte Prokurori i Krimeve të Luftës të Serbisë, Vladimir Vuçkeviq nën regjinë e presidentit dhe qeverisë serbe.
Megjithatë, të gjitha këto janë të njohura për publikun. Ajo që duhet njohur dhe mësuar ka të bëjë me enigmën se kush ishin njerëzit në Shqipëri, të cilët ndihmuan prokurorinë dhe shërbimin sekret të Serbisë për të sajuar këtë shtëpi joekzistente si e tillë. Shtëpia në Gur-Bardhë e cilësuar si spital ku operoheshin serbë për t’ua marrë dhe shitur organet e brendshme nuk ishte e “verdhë”! As e zezë! Nuk shërbeu kurrë për të strehuar kufoma, as të plagosur, as të gjallë e as të vdekur. Ajo shtëpi u sajua në imagjinatën e prokurorisë dhe shërbimit të Serbisë si e tillë. Thjesht për qëllim propagande, për ta akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për një krim, të cilin ajo nuk e kishte kryer kurrë.
Por shërbimet serbe nuk mund ta ndërtonin narrativën e rreme të vetëm. Ata kishin bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri. Unë shtroj pyetjen e drejtpërdrejtë, e cila kërkon sqarim dhe ndriçim të së vërtetës: – Çfarë roli ka luajtur prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë i asaj kohe, Arben Rakipi?! A ka qenë ai në dijeni të falsifikimit të së vërtetës, me qëllim poshtërimin e UÇK-së dhe rehabilitimin e Beogradit për gjenocidin e tij serb në Kosovë?! A ka urdhëruar veprime që komprometonin dhe çonin në dyshime “serioze” se atë krim e kishte kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës?! A ishte në dijeni Arben Rakipi dhe çfarë përgjegjësie direkte ka ai për hedhjen e shiringave te përroi bri fshatit Gur-Bardhë në momentin kur aty do të shkonin vëzhguesit ndërkombëtarë?! Kush hodhi gjak me shiringa në dyshemenë e katit të parë me dërrasa të asaj shtëpie dhe me urdhër të kujt?! A është aktivizuar për këtë qëllim edhe një ish-prokuror i rrethit të Matit?!
Se “Shtëpia e Verdhë” u gjet me ndihmën e zyrtarëve të Tiranës së asaj kohe, kjo nuk vihet në dyshim. Por se cili ishte roli i Arben Rakipit dhe të tjerë bashkëpunëtorëve të tij, kjo duhet sqaruar nga dikush. Kur një bariu ujku ia hëngri ujku ai tha se “Nuk u mërzita pse ujku me hëngri delet, por u mërzita se edhe qeni im u bë palë me ujkun”! A luajtën këtë rol qentë e Tiranës në atë kohë? Dhe cili ishte detyra dhe roli i Arben Rakipit, ish-prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë?! Dikush duhet të investohet për këtë. Duhet investiguar dhe hetuar se si ndodhi që papritmas Ushtria Çlirimtare e Kosovës pa asnjë fakt dhe provë u vu përballë një akuze si kjo!
Pavarësisht se Gjykata Speciale e Hagës nuk e ka si objekt hetimi dhe shqyrtimi Shtëpinë e Verdhë dhe akuzën publike që asokohe iu bë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autoritet në Shqipëri dhe ato në Kosovë duhet të bëjnë gjithçka të hetojnë dhe të zbulojnë bashkëpunimin e eksponentëve të Tiranës me shërbimin sekret të Serbisë për të degjilitimuar UÇK-në. Kjo duhej të ishte detyra e parë e qeverisë shqiptare për të mbrojtur lëvizjen çlirimtare për çlirimin e Kosovës!










