Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale materiale të reja, të cilat, sipas tyre, lidhen me aferën e legalizimeve që përfshijnë kryetarin Përparim Rama.
Sipas VV-së, materialet janë pranuar nga një sinjalizues dhe përmbajnë emra, lëndë, kompani e objekte konkrete, për të cilat kërkohet verifikim dhe hetim institucional.
Në njoftim pretendohet se më 3 gusht 2026, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë lëndët e legalizimeve të përmendura në denoncim, ndërsa dy ditë më vonë është zhvilluar një takim i mbyllur lidhur me këto raste.
VV ka ngritur dyshime se Rama dhe bashkëpunëtorët e tij mund të kenë ndërhyrë në dosjet që, sipas tyre, tashmë janë objekt hetimi nga organet kompetente.
Asamblistët e VV-së kanë kërkuar nga Prokuroria që t’i verifikojë këto pretendime dhe kanë thënë se do të vazhdojnë t’ua dorëzojnë institucioneve çdo informacion apo dokument që pranojnë nga sinjalizuesit.








