Fahri Fazliu, djali i Fadilit që u arrestua ditën e djeshme nga Gjykata Speciale, në një lidhje direkte në “Raport” ka thënë se ai nuk u lejua ta takonte të atin, as dje dhe as sot.
Ai ka thënë se nuk e kanë asnjë informacion si familje se ku ndodhet babai i tij, teksa shton se ky nuk ishte arrestim por kidnapim nga forma se si ka ndodhur.
Tutje, ai ka thënë se po ta kishin ftuar ai do të shkonte vet.
“Dje edhe sot nuk mu lejua as ta takoj dhe as të dijë a ndodhet a nuk ndodhet aty, kërkova nga sigurimi apo hetuesit të dijë për shëndetin e tij, më thanë se është mirë me shëndet. Prita deri në orën 12 e 30 erdh një veturë nga Policia e Kosovës për me e përcjellë dhe mu duk e pashë babanë dhe ia bëra të paktën me dorë dhe e përshëndeta dhe vazhduan për në aeroport. Diku rreth orës 1:00 janë nisur për në Hagë dhe kanë mbërri atje dhe janë në qendrën e paraburgimit. Nuk kemi asnjë informatë nuk më ka thirr askush as kur është arrestuar dhe as tani, kjo është një shkelje sepse ne si familje nuk jemi njoftuar as kur është arrestuar dhe as tash kur po shkon në Hagë”, ka thënë ai.










