Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi për autorin e krimit, personat që mund të kenë ndikuar në kryerjen e tij, si dhe institucionet për mosreagimin e tyre.
Përmes një reagimi, Rrahmani e ka cilësuar vrasjen e një nëne si një krim të rëndë kundër njerëzimit, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet te të gjithë ata që kanë pasur rol në këtë tragjedi, përfshirë institucionet që, sipas tij, nuk kanë reaguar me kohë.
Ai ka kritikuar gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve, duke e përshkruar rastin si dëshmi të dështimit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
“Vrasja e një nëne është krimi më i madh që mund të kryejë njeriu. Është krim kundër njerëzimit dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë, dorasi, ata që kanë ndikuar në kryerjen e këtij krimi dhe institucionet për mosreagimin e tyre.
Rasti i mbrëmshëm tregon se shteti nuk të mbron, shteti të vret!
Institucionet duhet të japin përgjegjësi, dhe atë menjëherë!
Rruga në të cilën jemi nisur është rrugë e shkatërrimit të kësaj shoqërie. Është rrugë e vrasjeve, e dhunës, e mohimit të drejtësisë, e humbjes së moralit, respektit, vlerave dhe traditës.
Është rrugë që po na çon drejt humbjes së së ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë!”, ka shkruar Rrahmani.








