Zbulimet tronditëse për figurën e Nazim Bllacës vijojnë në emisionin “Debat Plus”, ku janë publikuar dokumente dhe komunikime të reja që nxjerrin në pah një rrjet të ndërlikuar bashkëpunimi ndërmjet dëshmitarit të EULEX-it dhe një prokurori serb për krime lufte – Dragolub Stankoviq.
Në një email që mban datën maj 2015, Bllaca i kërkon ndihmë urgjente dy zyrtarëve të EULEX-it për të shmangur publikimin e disa dokumenteve që kishin rënë në duart e Policisë së Kosovës. Ai i përshkruan ato si “dokumente shumë sekrete” të fshehura në një oborr në Ribar të Madh. Ora 2 e mëngjesit, me shenjën “Top Sekret”, Bllaca alarmon për rrezikun që këto dokumente përbëjnë për jetën e tij nëse nuk merren menjëherë nga stacioni policor në Lipjan.

Në komunikime të tjera të siguruara ekskluzivisht, del në skenë edhe prokurori italian i EULEX-it, Danilo Cecarelli, dhe Maurizio Salustro, prokurori që kishte ndjekur rastin “Drenica”. Përmes Salustros, mësohet se Bllaca i ka përcjellë një porosi direkte prokurorit serb, për të konfirmuar se deklarata e tij në rastin “Kleçka” (ku Fatmir Limaj ishte i akuzuar për krime lufte) ishte pranuar si provë në gjykatë. Kjo ndodh në prill të vitit 2013.
Në këtë korrespondencë, Bllaca i referohet edhe një rasti tjetër të ndjeshëm – “Nish Express” – ku, sipas tij, përfshihen emra të njohur të politikës si Florim Ejupi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Ai pretendon se Florim Ejupi kishte kërcënuar se do t’i implikonte këta figura nëse arrestohej sërish për shpërthimin në autobusin e Nish Express. Sipas Bllacës, përpjekjet për të mbyllur rastin ishin në fazën përfundimtare në Gjykatën e Apelit.

Në mënyrë konstante, Bllaca kërkon që çdo veprim ndaj tij të koordinohet në prezencën e Stankoviqit, duke ngritur dyshime serioze mbi përfshirjen e thellë të këtij prokurori serb në çështje të ndjeshme të drejtësisë kosovare dhe ndërkombëtare.
Një tjetër episod i rëndë vjen nga viti 2014, kur ndaj Bllacës ishte ngritur kallëzim penal për falsifikim të autorizimeve të pronave serbe. Në këtë kontekst, ai i dërgon një email Stankoviqit duke kërkuar që dëshmitarët serbë të mos dëshmojnë kundër tij. Në email thuhet qartë:
“Ju lutem më ndihmoni në këtë rast në raport me 3 dëshmitarët serbë. Ky kallëzim penal më pengon për të fituar lirimin me kusht dhe për të nisur rastin Bllaca 4.”
Sipas dokumenteve të siguruara, dëshmitarët do të merrnin pjesë në një seancë gjyqësore më 20 tetor 2014 në Ferizaj, ku Bllaca kërkonte që të mos implikohej në veprën penale.
Këto komunikime e vendosin Stankoviqin jo vetëm si ndërmjetës, por si pikë kyçe orientimi dhe ndikimi për Bllacën në çdo fazë të përballjes së tij me drejtësinë. Nga shqetësimet për dokumentet, tek përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët dhe gjykatat, Bllaca dëshmohet si figurë e shumëfishtë që luante në disa fronte njëkohësisht – në EULEX, në gjykatat kosovare, në Serbi dhe përmes komunikimeve të dyshimta.
Këto të dhëna e bëjnë edhe më të ndërlikuar çështjen Bllaca dhe kërkojnë hetim të thelluar ndërkombëtar për ndërhyrjet e jashtme në sistemin e drejtësisë dhe manipulimet e mundshme të proceseve të ndjeshme gjyqësore. Emisioni “Debat Plus” ka paralajmëruar se këto janë vetëm disa nga dëshmitë më të ndjeshme që posedon dhe se zbulimet e tjera pritet të ndriçojnë edhe më shumë të kaluarën e errët të këtij rasti.






