Serbia dhe Shqipëria do përballen më 11 tetor në Leskovc për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. 11 vite pas akteve të dhunës së huliganëve serbë (14 tetor 2014) kundër futbollistëve të Shqipërisë në Beograd, kuqezinjtë rikthehen me kujtime.
Frika për përsëritjen e dhunës bëri që Federata Serbe e Futbollit të zhvendoste ndeshjen nga Beogradi në Leskovc, ndërsa FIFA dënoi serbët dhe në stadium do të jenë maksimumi 6500 tifozë serbë. Për shkak të një marrëveshjeje mes FSHF-së dhe Federatës Serbe të Futbollit, në takimet mes tyre nuk do ketë tifozë kundërshtarë, të paktën jo zyrtarisht.
Elseid Hysaj, ‘i mbijetuari’ i vetëm i mbrëmjes së Beogradit
Nëse i hedhim një sy listës së fundit që Silvinjo ka grumbulluar pak më shumë se një muaj më parë, bie në sy se futbollisti i vetëm që ende është pjesë e Kombëtares dhe që ka përjetuar në fushë dhunën e huliganëve serbë 11 vite më parë, është Elseid Hysaj.
Mbrojtësi i Lacios ishte titullar në ato 42 minuta lojë, teksa do rikthehet sërish në Serbi, por në një stadium dhe qytet tjetër. Nëse Silvinjo nuk surprizon dhe nuk rikthen në ekip gardianin Etrit Berisha, vetëm Hysaj vijon të jetë në gjendje për të përfaqësuar ekipin edhe 11 vite pas 14 tetorit 2014.








