Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) është në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve.
Këtë e ka thënë në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai, ka bërë të ditur se gjatë ditës do të përmbyllet edhe numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Prishtinës.
“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 12 qershor) është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike, ndërsa gjatë ditës do të përmbyllet edhe numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Prishtinës, që shënon njëkohësisht përfundimin në të gjitha komuna, 28 sosh, të procesit të verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të rregullta dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.
Elezi, ka shtuar se në QNR kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës.
“Në vazhdim të procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, i mundësuar në 23 kutitë postare të KQZ-së; fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ka bërë të ditur se numërimi i votave nga votimi me postë do të marrë kohë disa ditë.










