spot_img
spot_img
Tuesday, February 3, 2026
spot_img
spot_img

Ekspertët: Eliminimi i karbohidrateve nga dieta s’është zgjidhje afatgjate

Shumë mjekëve nuk u pëlqejnë dietat me pak karbohidrate, të njohura si “low-carb”, edhe pse ato shpesh çojnë në humbje të shpejtë të peshës. Ekspertët paralajmërojnë se heqja e plotë e karbohidrateve është një gabim.

Reduktimi i ushqimeve me shumë karbohidrate, si frutat, perimet që përmbajnë niseshte natyrore dhe drithërat, dhe fokusimi te proteinat dhe yndyrat, është një strategji e njohur për dobësim të shpejtë. Por mjekët thonë se kjo qasje ka edhe pasoja, ka raportuar The New York Times.

“Nuk ia kam rekomanduar kurrë një dietë ‘low-carb’ një pacienti dhe nuk planifikoj ta bëj”, ka thënë doktori Nate Wood, internist dhe ekspert për çështjet e obezitetit në Yale School of Medicine.

Sipas tij dhe mjekëve të tjerë, problemi nuk është sasia e karbohidrateve, por lloji i tyre. Ata këshillojnë që njerëzit të përqendrohen te karbohidratet cilësore, jo t’i eliminojnë të gjitha.

Studimet tregojnë se dietat “low-carb” mund të ndihmojnë në humbjen e peshës. Një rishikim i studimeve në vitin 2024 zbuloi se personat që ndoqën këtë dietë humbën mesatarisht rreth 2.5 kilogramë më shumë se ata që ndoqën dietën mesdhetare.

Përveç humbjes së peshës, dieta mund të ndihmojë edhe në kontrollin e sheqerit në gjak te personat me diabet të tipit 2 dhe rekomandohet nga Shoqata Amerikane e Diabetit në raste të caktuara.

Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se ndjekja afatgjatë e kësaj diete është e vështirë dhe shpesh jo e shëndetshme.


“Është e arsyeshme të ndiqet një dietë ‘low-carb’ për tre deri në gjashtë muaj për të humbur peshë shpejt, por shmangia e karbohidrateve për më gjatë mund të çojë në një dietë të varfër ushqyese”, ka thënë doktori Dariush Mozaffarian nga Universiteti Tufts.

Sipas tij dhe studimeve të tjera, kufizimi i karbohidrateve shpesh zëvendësohet me konsum të lartë të mishit të kuq dhe yndyrave të ngopura. “Dietat tradicionale ‘low-carb’ janë të mbushura me mish të kuq”, ka theksuar doktori Frank B. Hu nga Harvard, duke shtuar se yndyrat e ngopura rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.

Ekspertët theksojnë se jo të gjitha karbohidratet janë të këqija. Ushqimet natyrale ose pak të përpunuara, si frutat, perimet, drithërat e plota dhe bishtajoret, treten më ngadalë dhe nuk shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak.

“Problemi me termin ‘dietë low-carb’ është se i fut të gjitha karbohidratet në një thes”, ka thënë Mozaffarian. Karbohidratet e rafinuara, si sheqeri, buka e bardhë dhe pijet e ëmbla, duhet të kufizohen, ndërsa karbohidratet e pasura me fibra janë të domosdoshme për shëndetin e zorrëve, zemrës dhe ndjesinë e ngopjes.

Në vend që t’i eliminojnë, mjekët këshillojnë zgjedhje më të zgjuara. “Nëse doni të humbni peshë dhe ta mbani atë, përqendrohuni te cilësia e karbohidrateve, jo te sasia”, ka këshilluar Wood.

Mozaffarian ka shtuar se ushqimet që treten më ngadalë janë më të mira për trupin dhe për sheqerin në gjak: “Do të humbni peshë pak më ngadalë, por do të jeni më të shëndetshëm”, ka përfunduar ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit