Në një dëgjim të zhvilluar në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, është kërkuar një angazhim më i madh i administratës së presidentit Donald Trump për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe njohjen e sovranitetit të saj nga Serbia.
Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai paralajmëroi se mos-normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë krijon hapësirë për ndikimin rus dhe rrit tensionet rajonale.
“Marrëdhënia e pazgjidhur e Serbisë me Kosovën është një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, duke ia mundësuar Rusisë të minojë aftësinë e BE-së dhe NATO-s për të fuqizuar vendet e Ballkanit”, tha Self.
Ai përmendi gjithashtu frikën e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku pasivizimi i adresave ka krijuar tensione etnike.
Analistët dhe ekspertët e ftuar në dëgjim, përfshirë Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins dhe Max Primorac nga Qendra Margaret Thatcher për Liri, e cilësuan qëndrimin e Beogradit si pengues të rendit perëndimor në rajon.
“Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin. Vetëm rruga drejt NATO-s do t’i jepte fund ngërçit, sepse Serbia nuk do të kishte opsione të tjera. Fushata e çnjohjeve dhe varësia nga Rusia dhe Kina do të ishin të pavlefshme,” tha Joseph.
Primorac lavdëroi Kosovën për qasjen properëndimore dhe lëvizjen e ambasadës drejt Jerusalemit, duke theksuar se çdo marrëveshje me Serbinë duhet të përfshijë njohjen e Kosovës. Ai u shpreh gjithashtu për rëndësinë e emërimit të ambasadorëve të rinj amerikanë në rajon për të mundësuar marrëveshje të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare.
“Çfarëdo marrëveshje edhe me Serbinë duhet ta përfshijë njohjen. Por administrata duhet të emërojë sa më shpejt ambasadorët e rinj atje,” tha Primorac.
Analisti Luke Coffey nga Hudson Institute u shpreh për nevojën e largimit të Serbisë nga orbita e Rusisë dhe rritjen e presionit amerikan mbi Beogradin.
Në pyetjet e mbyllura të kryetarit Self, të tre ekspertët konfirmuan se burokratët e Departamentit Amerikan të Shtetit e shohin kryeministrin Albin Kurti si pengues dhe se SHBA-ja duhet të ushtrojë presion mbi Serbinë për të ndaluar pengesat ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ata gjithashtu konfirmuan se Serbia po pasivizon padrejtësisht adresat e shqiptarëve në Luginë dhe po shkel të drejtën e gjuhës shqipe në institucionet e saj.






