Familja Bislimi nga Livoçi i Ulët ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në media, ku pretendohet për një sulm seksual ndaj nuses së tyre, shkruan GazetaKosova.net.
Pashije Bislimi, gruaja e Nesret Bislimit dhe nëna e Fatjonit, e ka hedhur poshtë këtë lajm, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe si një përpjekje për shantazh.
Në një deklaratë për GazetaKosova.net, Pashije Bislimi thekson: “Unë jetoj prej 20 vitesh me Nesret Bislimin dhe kemi dy fëmijë së bashku. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur asnjë problem moral apo të çfarëdo natyre tjetër, as në familje e as me organet e shtetit. Problemi i vetëm ka lindur pas martesës së djalit tonë Fatjonit me Rilindën, rreth gjashtë muaj më parë.”
Sipas saj, nusja e djalit të tyre, Rilinda, ka tentuar në mënyrë të përsëritur që ta largojë Fatjonin nga familja dhe të jetojnë veçmas.
Në këtë përpjekje, Rilinda dyshohet se ka pasur përkrahjen e nënës së saj.
“Çdo pretendim për sulm seksual është i pabazë. Ato janë shpifje dhe shantazhe nga ana e saj për të arritur qëllimet e saj personale. Ne jemi të hapur për çdo hetim dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë për të vërtetuar të vërtetën,” përfundon Pashije Bislimi, për GazetaKosova.net
Familja Bislimi bën thirrje për trajtim të drejtë dhe të paanshëm të rastit, duke theksuar se nuk do të tolerojnë shpifje dhe lajme të pavërteta që dëmtojnë integritetin e tyre familjar.
Portali është në pritje të zhvillimeve të mëtejshme nga organet kompetente për të sjellë më shumë informacion mbi rastin.






