Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq të bëra gjatë prezantimit të strategjisë Serbia 2030, duke thënë se ato përfaqësojnë vazhdim të një narrative politike që mohon realitetin dhe mban rajonin nën tension.
Në një postim publik, Maqedonci theksoi se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve dhe se ky realitet, sipas tij, është i pakthyeshëm.
Ai kritikoi gjithashtu deklarimet e bëra në kuadër të strategjisë “Serbia 2030”, ku paralajmërohen rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake, investime miliardëshe në armatim, zhvillimi i industrisë së dronëve dhe krijimi i një ushtrie të avancuar digjitale. Sipas ministrit, këto zhvillime dëshmojnë për një proces të vazhdueshëm të militarizimit të Serbisë.
Maqedonci shtoi se kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë e saj, si dhe me projektin e ashtuquajtur Bota Serbe, ato krijojnë shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ai përmendi edhe veprimet destabilizuese të viteve të fundit, duke përfshirë mbështetjen dhe organizimin e strukturave terroriste e paramilitare që kanë kryer akte të dhunshme në territorin e Kosovës, duke iu referuar edhe sulmit të armatosur në Banjska, i cili u konsiderua nga autoritetet e Kosovës si akt agresor dhe terrorist.
Ministri e quajti paradoksale deklaratën e Vuçiqit se aktualisht “nuk ka partner për të folur” në Kosovë. Sipas tij, nëse Serbia nuk e konsideron këtë qeveri demokratike si partner për dialog, atëherë lind pyetja se çfarë partneri pret në të ardhmen.
Maqedonci shtoi se qytetarët e Kosovës kanë refuzuar përfundimisht çdo projekt që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit dhe se ide të tilla nuk do të pranohen më.
Në fund, ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe për një dialog të sinqertë që synon njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të forcojë kapacitetet mbrojtëse, të zhvillojë Forca e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve profesionale dhe të thellojë bashkëpunimin strategjik me partnerët euro-atlantikë.









