Tahiri thekson se ligji përkrah integrimin e Kosovës në BE dhe NATO dhe kundërshton çdo ndryshim kufijsh.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka vlerësuar se nënshkrimi i Ligjit për Mbrojtjen Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2026 nga presidenti Donald Trump përbën një mesazh të qartë politik për Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për Kosovën.
Sipas Tahirit, ligji përkrahin qartë integrimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe thekson domosdoshmërinë e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si përmbyllje e dialogut të Brukselit.
“Në ligj kërkohet qartë zbatimi i marrëveshjeve nga palët, ndërsa SHBA-të e bëjnë të qartë se kundërshtojnë çdo ide për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh,” ka deklaruar Tahiri. Ajo ka shtuar se ky qëndrim amerikan i jep fund iluzioneve për projekte destabilizuese në rajon.
“Kjo e ndal iluzionin për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘botën serbe’, të cilat janë faktor destabilizues në rajon, veçanërisht në kuadër të skenarëve serbo-rusë,” është shprehur Tahiri.
Më tej, ajo ka vlerësuar se Qeveria e re e Kosovës gëzon përkrahje të qartë amerikane në rrugëtimin euro-atlantik. “Qeveria e Kosovës ka përkrahje të qartë amerikane në rrugëtimin euro-atlantik të shtetit tonë, përkrahje kjo që duhet shndërruar në realitet me dije, mençuri dhe vizion strategjik,” ka përfunduar Tahiri.








