Edhe 11 ditë kanë mbetur kohë deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit por që takimet mes partive nuk kanë filluar akoma.
4 marsi është data e fundit kur vendi duhet të zgjedh presidentin përndryshe nëse deri në orën 12 pas mesnate nuk zgjedhet vendi automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, por duket që Qeveria e parë nuk e ka me nguti këtë proces pasi akoma nuk ka filluar takimet me partitë e tjera për të gjetur një konsensus ndonëse këto të fundit janë shprehur të hapura për takime.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se kjo parti ende nuk i ka nisur bisedimet me partitë tjera për çështjen e presidentit. Në një prononcim ajo ka bërë me dije se pas miratimit të Projektligjit për Buxhetin do të shqyrtohet edhe kjo çështje.
“Është e rëndësishme që te finalizohet çështja e buxhetit, nesër është seanca në lexim të dytë, pas miratimit të buxhetit vazhdojmë me diskutimet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Nagavci.
Disa ditë më herët, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka treguar që sapo t’i ketë nënshkrimet nga ndonjë kandidatët për president do të thërres seancën.
Të gatshme për takime janë edhe partitë opozitare të cilat po e presin ftesën e Kurtit.
Në ditën e formimit të Qeverisë së re Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza konfirmoi se PDK do të mbështesë çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Përkrahja për konsensus nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore. Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, u shpreh kryetari Hamza.
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për takim urgjent të të gjitha partive parlamentare shqiptare për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa theksoi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit u takon të gjithëve dhe se asnjë parti nuk duhet t’i shmanget këtij procesi.
“Jemi më datë 19 shkurt, jemi më pak se 2 javë kohë. Për të pasur ose zgjedhje të reja ose president të ri. Nëse për 2 javë Kosova nuk e zgjedh presidentin me automatizëm shkohet. Sa në herët që takohemi më mirë është. Dhe kur them takohemi është mirë të takohemi të gjitha partitë shqiptare parlamentare. Dhe të shohim të cilat janë interesat dhe mundësit për të bërë rrugën përpara. Në qoftë se ka abstenim prej partive politike, nëse një parti thotë se s’dua me u marrë me këtë punë fare mos të bëhet palë morale në këtë temë. Se po i ik përgjegjësisë”, tha para dy ditësh Abdixhiku.
Kundër rikandidimit të Vjosa Osmanit, është shprehur Besnik Tahiri i AAK-së, i cili tha se AAK nuk e voton atë për një mandat të dytë, ndërsa tha Ai shtoi se një emër nga familja Jashari për president do të ishte nder për Kosovën.
Osmanin kohëve të fundit është duke e mbështetur SHBA të cilët janë të kënaqur me punën në përfaqësimin diplomatik. Të premten Osmani u takua me sekretarin e shtetit amerikan, Marco Rubio, ku me këtë të fundit Osmani bëri të ditur se ka diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik” ka shkruar Osmani.
Se kush do të zgjedhet në krye të shtetit akoma nuk dihet, por që ditët po ecin mjaft shpejt.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjedhet një muaj para se ti përfundoj mandati, ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ri duhen 81 vota, ndërsa nëse në dy herët e para kandidati nuk arrin t’i marrë votat e nevojshme atëher në raundin e tretë i mjaftojnë 61 vota por që në sallë të kuvendit duhet të rrinë 81 deputetë, e që sipas praktikave të deritanishme deputetët e opozitës në zgjedhjen e presidentit nuk marrin pjesë në votim fare.









