Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjakovën mbrëmjen e së shtunës, ku një grua ka humbur jetën pasi ka rënë nga ura në lum.
Rasti ka ndodhur rreth orës 19:50 në rrugën “Ymer Pula”, te e ashtuquajtura “Ura e Moglicës”, ku viktima S. R. (68-vjeçare) ishte parë duke rënë në ujë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipi emergjent. Viktima ishte nxjerrë në breg nga një qytetar kalimtar, i cili kishte ndërhyrë për ta shpëtuar.
Ajo është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor, por përkundër përpjekjeve të stafit shëndetësor, rreth orës 21:30 ka ndërruar jetë.
Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, viktima shihet duke ecur e vetme dhe më pas duke u afruar te ura, nga ku dyshohet se ka rënë në lum.
Sipas familjarëve, e ndjera vuante nga sëmundje të rënda, përfshirë kancerin e gjirit dhe sklerozën, ndërsa nuk dyshohet për përfshirje të personave të tjerë në rast.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.









