Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Londër, ku një pemë e madhe është rrëzuar në një park publik, duke zënë poshtë pesë vajza të vogla shqiptare nga Kukësi.
Fatkeqësisht, një prej vogëlusheve, 7-vjeçarja Leona Ruka, humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda.
Incidenti tragjik ndodhi në Chalkëell Park, në qytetin e Southend-on-Sea, pak para orës 15:00, ku sipas dëshmitarëve, një pjesë e madhe e pemës u shemb papritur mbi një grup fëmijësh që po luanin pranë zonës së trëndafilave.
Qindra qytetarë që ndodheshin në park reaguan menjëherë, duke u përpjekur të ngrinin pemën me duart e tyre për të shpëtuar fëmijët.
Sipas policisë lokale dhe shërbimeve emergjente, një vajzë tjetër 6-vjeçare e familjes Ruka ndodhet në gjendje kritike, ndërsa tre fëmijë të tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën, me plagë më të lehta.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe autoritetet britanike. “Familjet po përballen me një dhimbje të paimagjinueshme. Ne jemi me ta në këto momente tragjike”, tha shefi i Policisë së Essex-it,Leighton Hammett.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Britani, ku është shpërndarë edhe një thirrje për ndihmë financiare në GoFundMe, për të mbështetur familjen e vajzës së ndjerë.
Fondet do të përdoren për shpenzimet e funeralit, mbështetje për familjen, si dhe për shpenzimet spitalore për vajzën tjetër të familjes Ruka e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Një dëshmitar ka rrëfyer momentet e tmerrshme nga ngjarja e rëndë.
“Të gjithë vrapuan drejt vendit, ku është pema. Pema ishte thyer dhe mendoj se kishte katër fëmijë, i pesti ishte pak më larg, ishte goditur nga një degë. Dy prej tyre ishin nën një degë më të vogël, ato u shpëtuan lehtësisht, dhe për fat të keq, dy vajzat e tjera, mbetën të bllokuara nën këtë pemë gjigante.
Kështu që ne thirrëm kalimtarë të rastësishëm për të ndihmuar, duhet të kenë qenë 40 deri në 50 persona që u përpoqën ta ngrinin pemën e rrëzuar. Nëna e tyre ishte në cep. Ishte e tmerrshme”, tha ai.









