Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 25-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me thikë në zemër. Viktima u gjet e pajetë në një park në zonën e Agios Dimitrios nw Athinw, ndërsa rasti ka tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave familjare të tij.
Sipas mediave greke, hetimet e policisë janë në zhvillim për të zbardhur vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (22 prill) në parkun “Asyrmatos”. Fillimisht, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që ngjarja të lidhet me një përplasje mes tifozësh, pasi trupi i të riut u gjet pranë një lokali ku më herët ishin regjistruar incidente të dhunshme me armë zjarri.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova që vrasja të ketë motive sportive, çka ka bërë që hetimet të shtrihen në disa drejtime të ndryshme.
25-vjeçari, i cili ishte djali i një oficeri të lartë të policisë greke (ELAS), u gjet pa shenja jete rreth orës 21:30, pasi një qytetar i huaj njoftoi autoritetet për praninë e një personi të shtrirë në park. Policia konstatoi se i riu kishte marrë një goditje fatale me thikë në zemër.
Ngjarja merr një dimension edhe më tragjik për shkak të rolit të të atit. Oficeri i policisë, për shkak të detyrës dhe faktit që banonte pranë vendit të ngjarjes, shkoi për të inspektuar situatën, pa e ditur se viktima ishte djali i tij. Në vendngjarje ai u përball me trupin e pajetë të të birit.
Burime mediatike bëjnë të ditur se pak para ngjarjes, babë e bir ndodheshin së bashku në shtëpi duke ndjekur një ndeshje basketbolli.
Një dëshmitar okular, i njohur i familjes, deklaroi se para sulmit kishte ndodhur një konflikt. Sipas tij, i riu u godit me thikë në zemër dhe, megjithëse i plagosur rëndë, arriti të ecë disa metra përpara se të rrëzohej dhe të ndërronte jetë. Ai shtoi se zona është shpesh skenë incidentsh të dhunshme.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të krimit.









