Një rast shqetësues është raportuar dje në Policinë e Kosovës, ku një grua shtatzënë është larguar nga shtëpia pa lënë gjurmë, mëson Gazeta nga strukturat e afërta me hetimin.
Sipas të dhënave nga burimet, më 06 dhjetor 2025, rreth orës 19:30, në Stacionin Policor Klinë është paraqitur R. B., 42 vjeçar, i cili ka raportuar se bashkëshortja e tij, H. M. 47 vjeçare, është larguar nga shtëpia në fshatin Grabanicë rreth orës 11:00 dhe nuk është kthyer më.
Burimet tregojnë se gruaja ka qenë shtatzënë dhe ka pasur probleme të theksuara me depresionin. Para largimit, ajo ka lënë një letër me shkrim, ku ka shkruar se “nuk po mundem ma me jetuar”, çka ka shtuar shqetësimin për sigurinë e saj.
Dëshmitari ka deklaruar se kjo është hera e parë që bashkëshortja largohet nga shtëpia, megjithatë ka theksuar se rreth një muaj më parë ajo kishte përdorur medikamente në sasi të tepërt, me qëllim për t’i dhënë fund jetës.
Policia ka njoftuar hetuesin kujdestar dhe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti “Person i zhdukur”.
Kërkimet po vazhdojnë dhe deri në këto momente akoma nuk është bërë e ditur nëse gruaja është gjetur.






