“Më vonë mësuam se kjo quhet Saime Isufi (Jusufi), është nga fshati Gjyreshefc i Gjilanit dhe se flitet që e ka dërguar UBD-a me detyrë”, këto fjalë gjenden në një dokument në dosjen e Jusuf Gërvallës, të cilën Sigurimi i Shtetit Shqiptar e mbante për të.
Këto pretendime i ka bë hiç më pak se Suzana Gërvalla, gruaja e Jusuf Gërvallës.
Sipas kësaj dosje të siguruar nga emisioni “Debat Plus” me Ermal Pandurin e që do të publikohen për herë të parë në ciklin e emisioneve të titulluar “DOSJET”, këto janë fjalët e Suzana Gërvallës që ua kishte thënë punonjësve të Sigurimit të Shtetit pas atentatit të 17 janarit në Helbron të Gjermanisë, ku të vrarë kishin mbetur Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Veç këtij pretendimi të rënd, sipas këtij dokumenti Suzana Gërvalla zyrtarëve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, u kishte thënë edhe diçka tjetër.

Ajo pretendon për një ftohtësi të Saime Isufit gjatë ceremonisë së varrimit të Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla.
“Na tërhoqi vëmendjen ftohtësia e saj në varrimin e Kadriut, burrit të saj” pretendohet t’u ketë thënë operativëve të Sigurimit të Shtetit, Suzana Gërvalla.
Përtje kësaj Suzana Gërvalla në këtë bashkëbisedim me punonjës të Sigurimit të Shtetit, duket se kishte shfaqur një jo simpati të theksuar ndaj Saime Isufit.
“Gruaja e Kadri Zekës, fillimisht nuk njihej fare nga ana jonë. Dinim se kishte qenë studente në Kosovë, kishte ikur në kohën e demonstratave dhe kishte arritur në Zvicër. Aty ishte njohur me Kadri Zekën dhe 3 muaj para varasjes së tij qenë martuar. Si tip, e si gjeste ajo nuk na pëlqente” thuhet në këtë pjesë të dosjes.

Pikërisht për këto dyshime në ciklin e emisioneve “Dosjet” në kuadër të emisionit “Debat Plus” është pyetur vet Saime Isufi.
Ajo ka sqaruar edhe pseudonimin e saj e cila njihej si “Bule” dhe ka mohuar në mënyrë kategorike, çfardo pretendim që ngre dilema mbi pastërtinë e figurës së saj.
“Nuk kam çfarë të them, nuk kam çfarë të them. Nuk dua ta diskutojë fare, nuk flas për këtë pjesë. Unë ‘Bule’ e kam pasë pesodunimin, është e vërtetë. Është ‘Bule Naipi’ që forcat gjermane e kanë varë në litar bashkë me Persefoni Kokëdhimën në Gjirokastër. Kështu që ne kemi pasë pesodunime të gjithë. Dhe unë kur kam ardh në Zvicër më kanë thirr në atë pseodunimin se duke qenë jashtë vendit, ne nuk kemi qenë aty fshehtas, në Kosovë më kanë thirr me emrin e vërtetë, kurse këtu filluan ‘Bule’ dhe një pjesë në Zvicër më thërrasin “Bule” sot e atë ditë dhe është një emër i dytë i imi që e dua”, u shpreh Isufi.
Saime Isufi në këtë intervistë në ciklin e emisioneve “Dosjet” në “Debat Plus” me Ermal Pandurin është shprehur e bindur se atentatit ndaj Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës e ka kryer UDB-ja, dhe se pretendimet e Suzana Gërvallës nuk i merr seriozisht.
“Nuk e marrë serioze me të thënë të drejtën, duhet të përgjigjet secili për deklaratat e veta. Unë e di që ata i ka vra UDB-a jugosllave edhe u kam thënë në policinë gjermane kur më kanë marrë sepse mua më mbajtën dy ditë pas vrasjes së Kadriut dhe vllezërve Gërvalla atje, do të thotë për të dhënë deklaratat e mia dhe e kam thënë cfarë shteti i fuqishëm jeni ju që ju vriten njerëzit në vendin tuaj dhe nuk i gjeni. Ju mund të jeni bashkëpunëtor bashkë me shërbimin sekret jugosllav. Se të ndodhë në vendin tuaj, të vriten tre njerëz, dhe të mos gjeni dorasin është e pabesueshme por dora e kujt është nuk mund të them asgjë, këto nuk i marrë përsipër”, ka thënë Isufi.
Vrasja e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, edhe pas më shumë se 4 dekadash vazhdon të jetë e mbushur me mistere dhe e pazbardhur.
Ndërkohë, në ciklin e emisioneve “Dosjet” të Debat Plus, do të shpërfaqen dokument nga dosjet e Sigurimit të Shtetit Shqiptar si dhe dosjet e UDB-së, që flasin pikërisht edhe për atentatin e 17 janarit të vitit 1982.








