Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan prindin e njërit nga klasorët e viktimës (11-vjeçar), nën dyshimin për sulm fizik.
Gazeta nga burime brenda organeve të rendit ka mësuar se i dyshuari Binak Hadërgjonaj e kishte marrë nxënësin 11-vjeçar në afërsi të oborrit dhe e kishte futur në veturën e tipit ‘Range Rover’.
Sipas këtyre burimeve, i dyshuari para se ta fusë në veturë e ka goditur me shuplakë dhe grushte nxënësin 11-vjeçar. Burimet tutje bëjnë të ditur se Binak Hadërgjonaj e ka dërguar nxënësin duke e tërhequr për xhakete në korridorin e shkollës.
Burimet më tej bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një sharje që kishte ndodhur mes viktimës dhe të birit të të dyshuarit, të cilët janë në një klasë. Megjithatë, ngjarja kishte ndodhur që dy muaj dhe që atëherë të njëjtit s’kishin pasur ndonjë problem.
Nxënësi 11-vjeçar ka pranuar trajtim mjekësor në Qëndrën Kryesore Familjare të Mjekësisë në Deçan, teksa i dyshuari Binak Hadërgjonaj është dërguar në stacion policor.
Ai është intervistuar në praninë e avokatit si i dyshuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor“.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti pritet të lirohet në procedurë të rregullt.









