Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim Malor (ShKShMK) është angazhuar në nxjerrjen e trupit të pajetë të një personi që dyshohet se ka rënë në një greminë në Grykë të Rugovës.
Sipas ShKShMK, në operacion marrin pjesë edhe Zjarrëfikësit e Pejës dhe Policia e Kosovës.
Personi ishte gjetur pa shenja jete në rrugën Pejë–Rugovë, tek vendi i njohur si “Kthesa e Madhe”.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 14 e 10, Policia është njoftuar se në km 5, rrugën Pejë – Rugovë, ‘te kthesa e madhe’, poshtë në lum ku është Lumbardhi, dyshohet se një person është pa shenja jete. Mjeku e ka konstatuar vdekjen e tij. Policia menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes, zjarrëfikësit dhe ekipi mjekësor”, tha Gashi.
Operacioni për nxjerrjen e trupit vazhdon, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e rënies.









