Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Zikica Belosevicit, 59 vjeç, dhe Gruica Belosevicit, 56 vjeç, të cilët dyshohen për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në Masakrën e Padalishtës në komunën e Istogut.
Vendimi është marrë sot, më 30 tetor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Identitetin e dy të arrestuarve, Zikica dhe Gruica Belosevic, Gazeta e kishte zbuluar ekskluzivisht një ditë më parë, më 29 tetor.
Sipas njoftimit të Gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke caktuar nga një muaj paraburgim për secilin prej tyre.
Të pandehurit dyshohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
Gjykata: Ekziston rreziku që të arratisen në Serbi
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik real që Zikica dhe Gruica Belosevic, nëse lihen në liri, mund t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky vlerësim, sipas Gjykatës, mbështetet edhe në faktin se të dy të pandehurit kanë shtetësi të Republikës së Serbisë.
Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku që ata të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.
Për këto arsye, është vlerësuar se paraburgimi është masa e nevojshme për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës.
Sinjali zbuloi ekskluzivisht identitetin e tyre dhe provat e gjetura gjatë bastisjes
Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se Zikica Belosevic ishte arrestuar mëngjesin e 29 tetorit në fshatin Osojan të Istogut, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me Masakrën e Padalishtës, të ndodhur më 26 mars 1999, ku viktima ishin anëtarë të familjes Imeraj.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në pronën e Zikica Belosevicit, hetuesit kishin gjetur një librezë të shërbimit në ushtrinë serbe, sipas së cilës ai kishte qenë pjesëmarrës në luftë deri më 14 qershor 1999.
Gjithashtu, ishin gjetur një librezë e anëtarësisë së veteranit të luftës dhe tetë fotografi të ndryshme.
Këto materiale janë sekuestruar në kuadër të hetimeve, ndërsa rëndësia e tyre për përgjegjësinë eventuale penale do të vlerësohet gjatë procedurës.
Gruica Belosevic u arrestua në Cerkolez
Në kuadër të të njëjtit operacion, hetuesit kishin lokalizuar dhe arrestuar edhe Gruica Belosevicin në fshatin Cerkolez të Istogut, rreth orës 10:50.
Gjatë kontrollit të pronës së tij, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, nuk ishin gjetur prova materiale.
Pas arrestimit, Zikica dhe Gruica Belosevic ishin shoqëruar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ku ishin intervistuar








