Dyshime për helmime në Prishtinë dhe Han të Elezit, AUV nis hetimet: Merren mostra nga qumështi, vezët, majoneza dhe soset

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se, pas rasteve të raportuara për dyshime për helmim të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit, ka ndërmarrë menjëherë kontrolle zyrtare emergjente për të ndihmuar institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe në mbrojtjen e shëndetit publik.


Në të dy lokacionet, inspektorët veterinarë të AUV-së kanë kryer inspektime të jashtëzakonshme, gjatë të cilave janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para.

Gjatë këtyre kontrolleve janë marrë edhe mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.


“Në rastin e Prishtinës janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Sipas Agjencisë, analizat laboratorike janë ende në proces. Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve zyrtare, AUV do të hartojë raportin përfundimtar dhe do ta njoftojë publikun për rezultatet.

“Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës”, ka theksuar AUV.


Agjencia ka rikujtuar se siguria ushqimore është përgjegjësi parësore e operatorëve të biznesit ushqimor. Sipas AUV-së, çdo operator ka detyrim ligjor që të respektojë kushtet e regjistrimit dhe autorizimit të veprimtarisë, të prodhojë dhe të vendosë në treg vetëm ushqime të sigurta për konsum, të zbatojë sistemet e vetëkontrollit, të garantojë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të sigurojë etiketim të saktë, të plotë dhe në përputhje me legjislacionin.

Po ashtu, operatorët duhet të respektojnë me përpikëri kushtet e ruajtjes, temperaturat e përcaktuara për secilin produkt dhe funksionimin e pandërprerë të zinxhirit të ftohjes, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun e prishjes së ushqimit.


AUV u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes. Pas blerjes, qytetarët duhet të sigurojnë transportin dhe ruajtjen e produkteve sipas udhëzimeve të prodhuesit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e intensifikuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa çdo rast i mosrespektimit të kërkesave ligjore do të trajtohet me vendosmëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit