Dy raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar gjatë së hënës në Fushë Kosovë dhe Prishtinë, ku gratë kanë denoncuar bashkëshortët e tyre për dhunë fizike pas mosmarrëveshjeve familjare.
Ngjarja e parë është raportuar më 9 mars 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Fushë Kosovë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka takuar V. H së bashku me tre fëmijët e saj, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor.
Sipas deklarimit të viktimës, ajo ka përjetuar dhunë fizike nga bashkëshorti i saj N. S (1989), i cili dyshohet se e ka goditur disa herë në pjesën e kokës dhe qafës me rroba dhe më pas i ka marrë kartelën bankare dhe është larguar nga banesa, duke e kanosur.
I dyshuari ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes apo fëmijëve dhe ka deklaruar se do të largohet nga banesa për të qëndruar tek familja e tij në Vranjevc të Prishtinës.
Pas konsultimit me prokuroren kujdestare për dhunë në familje, rasti është iniciuar dhe i dyshuari është proceduar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është raportuar po të njëjtën ditë, rreth orës 18:30, në rrugën “Hasan Remniku” në Prishtinë.
Denoncuesja V. L. ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj F. L ai e kishte sulmuar fizikisht.
Viktima nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor dhe ka refuzuar strehimin, duke deklaruar se dëshiron të kthehet në shtëpi.
Në konsultim me prokurorin kujdestar për dhunë në familje, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rastet janë duke u trajtuar nga organet e hetuesisë.









