“Duart në kokë, duart në kokë”, ishte kjo thirrja që agjentë civilë të policisë lëshuan ndaj personave që ndodheshin në një automjet, duke përmbyllur operacionin e koduar ‘Fokusi”.
Ngjarja ka ndodhur në Tiranë dhe nga një video e publikuar nga Policia, dallohen agjentë, që vrapojnë drejt një automjeti, hapin dyert me shpejtësi dhe i kërkojnë personave që ndodheshin në të të vinin duart në kokë.
Operacioni është zhvilluar në urën e Babrroit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, ndërsa janë ndaluar dy persona. Gjatë kontrollit në automjet, në derën e pasagjerit u gjet një pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se mbahej pa leje nga shtetasi E. M., 31 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan arma e zjarrit, automjeti si dhe dy celularë.
Gjithashtu, u procedua penalisht drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Të dy shtetasit janë banues në Tiranë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore. Policia njofton se operacione të tilla do të vijojnë me intensitet për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e sigurisë në kryeqytet.
Njoftimi nga Policia
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokusi”. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Mbante armë zjarri pistoletë, kapet në flagrancë ndërkohë që qarkullonte në një automjet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen pistoleta me municion luftarak, automjeti dhe 2 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit, në urën e Babrroit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin F. B. dhe pasagjer E. M. Gjatë kontrollit në automjetit, në derën e pasagjerit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi E. M., 31 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të dy banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.






