Ai kritikon përpjekjet për pezullimin e licencës dhe thekson sfidat e të rinjve në profesionin e avokatisë.
Avokati dhe profesori Arianit Koci ka dalë në mbrojtje të një kolegu të ri, avokat në fillim të karrierës, i cili herë pas here punon edhe si kamarier në mbrëmje. Koci tregon se ndaj tij janë bërë përpjekje për të pezulluar licencën e avokatit, të cilat ai i konsideron të padrejta.
“Natyrisht, këtë nuk e lejojmë kurrë. Madje, unë personalisht mburrem me një avokat të tillë: punëtor, i shkolluar, intelektual i vërtetë. Njeri që nuk i ikë punës, por e mban veten me mund – si shumica prej nesh në fillimet tona,” shkruan Koci.
Ai thekson se të rinjtë që hyjnë në profesion përballen me shumë punë dhe pak mbështetje, dhe shpesh duhet të punojnë jashtë profesionit për të mbijetuar. “Puna e ndershme nuk e ul askënd. E ul vetëm mentaliteti primitiv që i sulmon punëtorët dhe i amniston keqpërdoruesit,” shton Koci.
Në përfundim, ai shpreh mbështetjen e tij të drejtpërdrejtë duke i ofruar kolegut të ri një drekë, duke simbolizuar solidaritetin dhe respektin për përpjekjet e të rinjve në profesion.






