Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze kanë bërë të ditur të martën se dronë të dyshuar janë parë duke fluturuar mbi një bazë të inteligjencës ushtarake franceze në tre netë të ndara gjatë muajit të kaluar.
Ky incident vjen në vazhdën e inkursioneve të shpeshta mbi bazat ushtarake në vende të ndryshme të Evropës.
Prokurorët francezë javën e kaluar kanë hapur një hetim lidhur me dronët që dyshohet se kanë fluturuar mbi një bazë nëndetësesh bërthamore në bregdetin e Atlantikut, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e infrastrukturës kritike ushtarake.
Në muajt e fundit, fluturimet e dronëve – shumica me origjinë të panjohur – kanë shkelur hapësirën ajrore të Evropës, duke nxitur alarm te institucionet e sigurisë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka quajtur këto inkursione “luftë hibride”. Ndërkohë, Rusia i ka mohuar rregullisht akuzat se qëndron pas tyre.
Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze kanë njoftuar se pamjet e para të dronëve mbi bazën ushtarake Creil në Francën veriore janë regjistruar më 26 nëntor. Baza Creil strehon një qendër trajnimi inteligjence, ka konfirmuar koloneli Thomas Bardin për të përditshmen franceze Le Parisien.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kushtet e vështira të motit nuk kanë lejuar të konfirmohet nëse pamjet e dyshuara në netët e 28 dhe 30 nëntorit kanë qenë dronë apo avionë komercialë.






