4,2 miliardë dollarë për të fituar vetëm dy orë kohë. Ky është çmimi i “East Shield”, “mburojës lindore” që Polonia nisi të ndërtojë në vitin 2024 dhe që pritet të përfundojë më 2028. Një linjë fortifikimi 800 km e gjatë, e cila vizaton një “L” gjigante mes kufirit me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit. Qëllimi nuk është ndalimi i një ushtrie të mundshme ruse, diçka që as vetë Varshava nuk e beson, por ngadalësimi i saj, aq sa të ketë kohë të mobilizohet ushtria polake dhe të mbërrijnë forcat e NATO-s, duke filluar me 10 mijë ushtarët amerikanë të stacionuar tashmë në territor.
Alarm pas dronëve rusë
Sulmi i fundit me dronë rusë, në natën mes 9 dhe 10 shtatorit, i detyroi autoritetet polake të përshpejtojnë projektin. Megjithëse mbrojtja ajrore e përbashkët (me Holandën dhe Italinë) reagoi, performanca e saj tregoi vështirësi serioze. Çfarë do të ndodhte në rast të një sulmi masiv ajror rus? Kjo pyetje është kthyer në prioritet për gjeneralët polakë.
Industria e mbrojtjes në Poloni ka bërë hapa gjigantë. Kompania WB Electronics prodhon sot mbi 1.000 dronë në muaj, ndonëse Rusia raportohet të arrijë deri në 5.100. Qeveria e Donald Tusk ka sinjalizuar se buxheti i vitit 2026 do të orientohet fuqishëm drejt dronëve, armës që ka ndryshuar balancën e luftës në Ukrainë. Shpenzimet ushtarake do të rriten nga 4,5% në 4,8% të PBB-së, duke e bërë Poloninë vendin me investimin më të madh në mbrojtje brenda NATO-s (përqindje mbi PBB).
Një ushtri e re për një epokë të re
Polonia ka siguruar tashmë 43,7 miliardë euro nga fondi i riarmimit i Komisionit Europian. Plani është i qartë:
205 mijë ushtarë aktivë, që deri në vitin 2035 pritet të shkojnë në 300 mijë, plus 300 mijë rezervistë.
Dy divizione të reja të armatosura me tanke Abrams amerikanë, duke zëvendësuar pajisjet e epokës sovjetike.
96 helikopterë Apache (nga 16 aktualisht) dhe 128 avionë luftarakë, mes tyre F-35 e F-16 amerikanë dhe FA-50 koreano-jugorë.
Gjeneralët e NATO-s e konsiderojnë këtë si transformimin më të madh të ushtrisë polake që prej Luftës së Dytë Botërore.
Frika nga Baltiku
Siguria nuk kufizohet vetëm në kufijtë tokësorë. Deti Baltik është një pikë e nxehtë: Danzigu ndan bregun me Kaliningradin rus. Polonia ka nisur programin Miecznik, në bashkëpunim me Britaninë e Madhe, për të pajisur marinën me tre fregata moderne, ndërsa po shqyrton blerjen e një flotile nëndetësesh nga Franca, Gjermania, Suedia ose Koreja e Jugut. Synimi është mbyllja e çdo vrime sigurie, qoftë në tokë, ajër apo det.
Mesazh për rajonin dhe NATO-n
Nëse ky projekt do të arrijë të realizohet brenda afateve, Polonia do të kthehet në fuqinë më të madhe ushtarake në Europën Lindore, një faktor që ndryshon edhe ekuilibrat në Ballkan e në Detin e Zi. Për NATO-n, Varshava është kthyer në “porta lindore”, ndërsa për Moskën, një shënjestër strategjike.










