Në lidhje me peticionin të cilin e ka organizuar Lista Serbe, ish-shërbëtori besnik i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun ka deklaruar se: “Peticioni kundër ndërtimit të urave të reja mbi lumin Ibër mund të jetë “një paralajmërim për Albin Kurtin dhe të tërheqë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare” nëse nënshkruhet masivisht. Ai ka pretenduar se urat e reja “mund të kenë qëllime ushtarake, për bartjen e FSK-së në veri”.
Drecun ka deklaruar për televizionin publik serb RTS se “zëri i serbëve nga Kosova dëgjohet, por nuk ka reagime, madje as ndaj lutjeve për të ndalur “terrorin” që, sipas tij, “po e ushtron Prishtina”.
“Me këtë sjellje të ndërkombëtarëve në Kosovë, duket se përgjigjja në pyetjen se kush mund ta ndalojë Kurtin është për momentin – askush. Nuk po ndërmerret asnjë veprim për ta ndalur atë. Perëndimi nuk ka ndërmend ta kundërshtojë në mënyrë më aktive”, ka pretenduar ky propagandist i vjetër i Millosheviqit.
Ai ka thënë se “serbët kanë frikë se përmes këtyre urave mund të ndodhë destabilizimi.
“Nuk besoj se Kurti do ta marrë parasysh peticionin që vjen nga komuniteti serb. Duke marrë parasysh krizën institucionale në të cilën ndodhet Kosova, ku duket se zgjedhjet e reja janë afër, kjo është pjesë e propagandës së Kurtit, i cili nuk do të heqë dorë nga ky projekt. Ky ndërtim mund të ndalet vetëm nëse BE dhe SHBA intensifikojnë veprimet e tyre, por aktualisht nuk po e shoh që po ndodh një gjë e tillë”, ka thënë ai.
Ai, në propagandën e tij shkon edhe më larg, duke pretenduar “se urat e reja mund të përdoren për qëllime ushtarake, për të bartur FSK-në në veri”.
Drecun ka thënë se në veri po ndërtohen vazhdimisht “baza të reja ushtarake”, që kanë për qëllim “militarizimin e plotë” dhe sigurimin e kontrollit fizik të territorit.
Ai theksoi se nuk mund të injorohet përpjekja për të transformuar FSK-në në Ushtri të Kosovës, duke shtuar se në këtë drejtim ka aktivitete të intensifikuara me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.
Drecun ka thënë se mund të supozohet se Kurti ka “qëllime shumë të rrezikshme”.
“Mendoj se peticioni do të jetë një paralajmërim i mjaftueshëm. Por nuk ka shenja që BE dhe SHBA do të ndërmarrin veprime më serioze. Të gjitha reagimet ndaj përshkallëzimit të situatës në veri kanë qenë shumë të buta. Kaja Kallas kohët e fundit e njoftoi Kurtin se BE ka filluar të heqë masat, të cilat është dashur të hiqeshin vetëm kur të ndodhë de-përshkallëzimi, ndërsa ne ende çdo ditë kemi veprime që nxisin tensione”, përfundoi Drecun.






