Po vijon edhe më tej drama e rezultatit zgjedhor në Mitrovicë, ku Arian Tahiri i PDK-së dhe Faton Peci i VV-së janë mjaft afër njëri-tjetrit. Pas verifikimit të shumicës dërrmuese të votave, në qendrën e numërimit në Mitrovicë u gjetën plot parregullsi.
Pas këtyre rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë është duke zhvilluar verifikimin e rezultateve. Edhe pse në disa komuna ka përfunduar, në Mitrovicën jugore ende po vazhdon. Për dallim nga rezultatet e para, për momentin diferenca mes dy kandidatëve atje është më e madhe.
Lidhur me këtë proces, Gazeta ka siguruar disa fotografi nga procesi i verifikimit, që dëshmojnë parregullsi që janë krijuar gjatë procesit të parë të numërimit.
Kështu, në njërën nga fotot, shihet se si gjatë verifikimit, ka pasur ndryshim rezultati për Arianin. Përderisa gjatë numërimit, Tahiri i janë shënuar 207 vota në një vendvotim, në verifikim atij i kanë rezultuar 214 vota.


Përveç kësaj, në fotografi shihen edhe parregullsi të tjera.
Derisa në flet-raportet, shënohen me patjetër edhe ‘’Numrat e shiritave për mbylljen e kapakut të kutisë së votimit’’, në njërën prej këtyre raporteve, numrat mungojnë.


Po ashtu, në foto shfaqen edhe fletëvotime të dëmtuara. Fletëvotimet, ku është votuar për Arian Tahirin, shihen se janë dëmtuar në pjesën e sipërme.

Tahiri, rezultat tjetër i ka dalë edhe në një tjetër raport verifikimi. Kandidatit të PDK-së, në procesin e verifikimit, siç shihet në foton e mëposhtme, i kanë dalë 57 vota, për dallim nga 44 ku i ka pasur në procesin e numërimit.










