Një vendim i Gjykatës së Posaçme në Shqipëri, të cilin e ka siguruar Insajderi, nxjerr në dritë detaje tronditëse se si anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të drogës dhe pastrimit të miliona eurove – ku përfshihet edhe vlonjati me pasaportë amerikane Artur Shehu – përdorën pasaporta dhe karta identiteti të Republikës së Kosovës për t’i ikur drejtësisë.
Republika e Kosovës po vazhdon të mbetet “streha e preferuar” e dokumenteve zyrtare për eksponentët e rrezikshëm të krimit të organizuar nga Shqipëria. Në dokumente zyrtare të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në Tiranë, zbulohet një skemë se si trafikantët e drogës dhe pastruesit e parave u pajisën me pasaporta dhe karta identiteti të Kosovës.
Në qendër të këtij mega-procedimi penal të udhëhequr nga krerët e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, është një rrjet i shtrirë mes Vlorës dhe Tiranës, që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim masiv parash. Pjesë e kësaj liste të zezë, për të cilët është lëshuar urdhër-arrest në burg, është edhe emri i njohur i botës së biznesit, Artur Shehu, i lindur në Vlorë por që operon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shfrytëzuar edhe nënshtetësinë amerikane.
Por, përderisa Shehu ka zgjedhur pasaportën e SHBA-ve, bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri kanë gjetur një rrugë më të shkurtër: u bënë shtetas të Kosovës.
Kush janë “kosovarët” e rremë të dosjes së SPAK-ut?
Insajderi sjell detajet e dy personave kryesorë të këtij rrjeti që mbanin identitete të dyfishta kosovare.
Ardian Zykaj, i lindur në Vlorë në vitin 1970 dhe banues në një zonë luksoze në Tiranë, sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, ka arritur të sigurojë një identitet krejtësisht tjetër në Kosovë. Me gjendje civile “beqar” në Shqipëri, ai në dokumentet kosovare figuron si Blerim Miftari, i datëlindjes 2 shkurt 1974. Rrjeti kriminal i ka mundësuar atij që të ketë në xhep një kartë të Kosovës dhe Pasaportë të Republikës së Kosovës. Me këto dokumente, ai dyshohet se ka lëvizur lirshëm duke organizuar trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e produkteve të krimit.
I dënuar më parë jashtë Shqipërisë, vlonjati Alfredo Hamzai është një tjetër emër i rëndësishëm i dosjes. Për t’i shpëtuar vëzhgimit të agjencive ligjzbatuese, Hamzai ka përdorur dy identitete të rreme (alias). Përveç një pasaporte të Maqedonisë së Veriut, Hamzai ka poseduar dokumente ilegale kosovare në emër të Genc Bedinit. Ai mbante leternjoftim dhe pasaportë kosovare.
Përveç emrave vlonjatë të udhëhequr nga njerëz si Artur Shehu, Ardian Zykaj e Alfredo Hamzai, në këtë dosje voluminoze të SPAK-ut figurojnë edhe emra të tjerë të njohur si Orest Sota, Ilir Shtufi dhe vëllezërit Vladi, të cilët akuzohen për krijimin e një makinerie të vërtetë të pastrimit të parave të drogës përmes bizneseve dhe ndërtimeve në Shqipëri.








