Dosja e shkatërrimit të ushtrisë shqiptare, si u grabitën 600 mijë armë dhe rreth 1.5 miliardë fishekë?

Raporeti i ministrit Sabit Brokaj në parlament në tetor 1997: Grabitja e miliona granatave, municione dhe lëndë plasëse. Dëmtimi i depove, garnizoneve, aerodromeve, bazave detare dhe infrastruktura tjetër ushtarake.

Më 22 tetor 1997, vetëm pak muaj pas tragjedisë së marsit, ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj paraqiti në Kuvend një nga dëshmitë më të forta politike mbi shkatërrimin e ushtrisë shqiptare. Në përgjigje të pyetjeve të Grupit Parlamentar Socialist, ai foli për shkaqet që, sipas tij, e çuan ushtrinë drejt kolapsit dhe për gjendjen në të cilën ndodheshin Forcat e Armatosura pas krizës.

Në raportin e ministrit Brokaj, në mars të vitit 1997, shkatërrimi u përhap në të gjithë vendin. Reparte, depo, garnizone dhe baza ushtarake u sulmuan, u grabitën dhe u dogjën. Në Kuvend, Brokaj ngriti edhe dyshimin se në disa raste ishte synuar jo vetëm marrja e armëve, por edhe shkatërrimi i dokumentacionit dhe pajisjeve që mund të zbulonin abuzime të mëparshme, shkruan Tema.


Bilanci material ishte tronditës. Sipas shifrave të paraqitura nga ministri, dëmet arrinin në 61 miliardë e 465 milionë lekë të reja. Ishin marrë rreth 600 mijë armë këmbësorie dhe rreth 1.5 miliardë fishekë, ndërsa u grabitën edhe miliona granata, municione dhe lëndë plasëse. U dëmtuan rëndë depot, garnizonet, aerodromet, bazat detare dhe infrastruktura tjetër ushtarake. Për Brokajn, marsi 1997 nuk ishte thjesht momenti i shkatërrimit, por fundi i një procesi shumëvjeçar dobësimi të komandës, hierarkisë, disiplinës dhe autoritetit të shtetit mbi ushtrinë.

“Në muajin mars vala e shkatërrimeve, e vjedhjeve dhe e djegieve dëmtoi rëndë njësitë, repartet, institucionet, ndërmarrjet ushtarake, që e mbështetur në vlerësimet e deritanishme të dëmeve që evidentohen në kontabilitetin unik dhe në regjistrat e armatim- municionit kapin shumën prej 61 miliardë 465 milionë lekë të reja. Dëmet më të mëdha janë kryer në shërbimin e armatim-municionit në shumën prej 50 miliardë lekë, në transport 2.3 miliardë lekë, në veshmbathje 2.2 miliardë lekë, në shëndetësi 1.8 miliardë lekë, në ndërlidhje 1.1 miliardë lekë, në aviacion 821 milionë lekë etj.

Si rrjedhojë e këtyre shkatërrimeve e vjedhjeve u dëmtuan aerodromet dhe bazat ushtarake detare, garnizonet ushtarake në Gjirokastër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër, Burrel, Tiranë, Kukës, duke përfshirë këtu fjetinat, kuzhinat, klasat, lavanderitë, depot, ofiçinat etj. U vodhën rezervat materiale në përdorim e në rezervë si armatimi, municioni, transporti, ushqimet etj.


Në shërbimin e armatim-municionit u morën pothuajse të gjitha armët e këmbësorisë, sasira të mëdha armësh e municionesh të kalibrave të vegjël të artilerisë, granatat e dorës, lëndët plasëse. Nga vlerësimet e bëra rezulton se janë marrë rreth 600 mijë armë këmbësorie, kryesisht pushkë, automatikë, mitrolozë të lehtë, mitrolozë të rëndë e kundërajrorë, granatahedhës, murtaja të kalibrave të ndryshme.

Janë grabitur rreth 1.5 miliardë fishekë këmbësorie, duke përfshirë granatat, miliona granata dore, 3.500 tonë municione xheniere e lëndë plasëse, rreth 90% e kapsollave detonatore, 60% e fitilit zjarrpërcjellës, janë shkatërruar rreth 30% e municioneve të artilerisë të kalibrave 76-152, duke u marrë gëzhojat e duke u lënë në vend barutin, i cili përbën një rrezik real për jetën e njerëzve.


Në shërbimin autotraktor u dëmtuan 3186 njësi teknike ose 50% e inventarit të përgjithshëm, nga të cilët, 2409 njësi u dëmtuan rëndë, ndërsa 777 u dëmtuan lehtë dhe mund të vihen në punë. Rreth 1020 dhe 500 agregatë të vjedhur dhe pjesa më e madhe e tyre mendohet të jenë prishur e shitur si mbeturinë. Po kështu, në mjaft reparte e njësi janë vjedhur e janë bërë të papërdorshme të gjitha makineritë, pajisjet, ofiçinat, shumica e pjesëve të ndërrimit, bateritë e lëndë të para që ndodheshin në magazina.

Në shërbimin e intendencës u grabitën pothuaj të gjitha rezervat në produkte ushqimore, në karburant, në lubrifikant, materiale e veshmbathje, orendi, makineri, pajisje. Në shërbimin e karburantit u grabitën e u dëmtuan karburante, lubrifikantë e pajisje si benzinë e thjeshtë etj., 448 mijë litra; naftë e zakonshme, 1 milionë 575 mijë litra; naftë DS 2870 mijë litra, vajguri TS-1, 1 milion e 870 mijë litra etj., etj.


Dëmtime pësuan dhe depot e vlerave materiale. Nga 1581 depo gjithsej në shkallë ushtrie rezultojnë të dëmtuara plotësisht 284 depo, pjesërisht 11 depo. Por, në këtë analizë nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se vala e shkatërrimeve, ndonëse në raste të veçanta, nuk u shtri në të gjitha repartet. Si të tillë mund të përmendim rastin e Parkut të Mallrave të Ushtrisë, të regjimentit të MCR-së, të Batalionit të Komando-ve në Zall-Herr, bazën e furnizimit në Durrës, laboratorin e municioneve të rajonit të depove të Stërmasit.

Këtu mjafton të tregoj një shembull unik, i cili, si një studim pilot flet realisht se çfarë ndodhi në ushtri. Në rajonin e Stërmasit, ne kemi një sistem deposh armatimi, eksploziv etj., ku komandant është një kapiten nga Peza, Beqir Lika.

Me sulmin që iu bë Divizionit të Tiranës, kapiteni mblodhi nënoficerët dhe ushtarët dhe u tha: “Do ta mbrojmë vetë rajonin, nuk do të lejojmë të hyjë asnjë, as divizioni, as ministria se janë tradhtarë. Kush do të rrijë këtu me mua të rrijë, kush nuk qëndron dot të dalë nga grupimi i depove”. Ata qëndruan me kapitenin. Shkon komanda e divizionit dhe e urdhëron të largohet nga baza e depove. Ky i qëllon me armë, duke u thënë: “Ju jini tradhtarë, nuk ju lejoj të hyni”.

Pas komandës së divizionit i shkojnë komanda e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes me të njëjtin urdhër, të largohej nga rajoni që mbronte. Ai gjithashtu i qëlloi, duke u thënë që nuk i lejonte të hynin në rajonin e tij. Ndërkaq i vajtën turmat, i qëlloi turmat; i vajtën individë i kanë ofruar qindra milionë lekë të reja që të lejonte hyrjen në sistemin e depove të Stërmasit, kapiteni nuk i pranoi dhe është i vetmi sistem deposh i kërcënuar, duke filluar që nga ministria, nga divizioni, përveç turmave e parave, që u mbrojt pa u furnizuar me ushqim, veçse nga ndonjë fshatar brenda rajonit aty dhe pa marrë asnjë mbështetje nga Divizioni i Tiranës”, deklaronte ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj, në seancën e 22 tetorit 1997, në një raport të gjatë për shkatërrimit e ushtrisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit