Tensionet mes SHBA-së dhe Venezuelës po rriten me ritëm të shpejtë, ndërsa Donald Trump i ka dërguar një paralajmërim të prerë Nicolás Maduro-s: ai mund të zgjedhë “rrugën e lehtë ose rrugën e vështirë”, mesazhi që po interpretohet nga analistët si ultimatum i hapur ndaj liderit autoritar të Karakasit.
I veshur me uniformë kamuflazhi, Maduro iu shfaq turmave në kryeqytet duke u thirrur ndjekësve të përgatiten për të mbrojtur vendin “nga çdo agresion imperialist”. Ai u përpoq të ringjallte frymën e Simón Bolívar-it, duke e paraqitur veten si pasues të traditës çlirimtare latino-amerikane.
“Duhet të jemi të aftë të mbrojmë çdo pëllëmbë të këtij vendi të bekuar nga çdo kërcënim apo agresion, nga kushdo që vjen,” deklaroi Maduro para qytetarëve që i quajti “populli revolucionar i Karakasit”.
“Betohu para Krishtit se do jap gjithçka për fitoren e Venezuelës,” shtoi ai, duke premtuar se do mbrojë qiellin, malet dhe fushat e vendit të tij.
Duke folur nga bordi i Air Force One gjatë nisjes për në Florida, Trump refuzoi të shpjegojë qëllimin real të fushatës katërmujore të presionit ndaj Venezuelës, ndërkohë që shumë analistë besojnë se objektivi është rrëzimi i Maduro-s, i akuzuar për manipulim të zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Zyrtarisht, prania e madhe ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve justifikohet si pjesë e një operacioni kundër trafikantëve latino-amerikanë të drogës që “përmbytin SHBA-në me narkotikë”. Uashingtoni madje e ka akuzuar Maduro-n se drejton një “kartelet” të quajtur “Cartel of the Suns”, një grup që së fundmi u shpall organizatë e huaj terroriste, megjithëse shumë ekspertë thonë se struktura e tillë është më shumë mit sesa realitet.
Trump u shpreh me tone të paqarta por kërcënuese: “Nuk do t’ju tregoj qëllimin. Ju duhet ta dini vetë,” tha ai, duke lënë të kuptohet se mund të flasë me Maduro-n.






