Kanë kaluar mbi 3 muaj që në Serbi kur shpërthyen protestat, pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor që i mori jetën 15 njerëzve, përfshirë edhe disa fëmijë. Zemërimi i publikut mbi këtë ngjarje tragjike, u shndërrua shpejt në demonstrata masive kundër regjimit të presidentit Aleksandër Vuçiç.
Protestuesit e akuzuan administratën e tij për korrupsion, nepotizëm dhe për “duar të lyera me gjak”. Në fillim, Vuçiç u shfaq shpërfillës ndaj protestave të udhëhequra nga studentët, duke u përpjekur të minimizonte numrin e pjesëmarrësve.
Më pas, u përpoq ta diskreditonte lëvizjen duke infiltruar në turma individë që përhapnin retorikë nacionaliste dhe naziste, duke u përpjekur që të frikësonin protestuesit dhe familjet e tyre, nëpërmjet të ashtuquajturave “bisedime informative” nga agjentët e shërbimit sekret serb, BIA.
Ka pasur dhe raste kur protestuesit janë goditur me makinë, por asnjë nga këto mjete nuk e ka ndihmuar Vuçiç që t’i frikësojë studentët. Sipas raportimeve nga mediat, të paktën 12 gazetarë dhe dhjetëra protestues u sulmuan nga policia ose mbështetësit e tij.
Protestat nuk ishin për t’u nënvlerësuar as në fillim. Por në fakt, kjo është ajo që bëjnë zakonisht udhëheqësit autoritarë. Ndaj është në natyrën e Vuçiç që të injorojë gjithçka që shfaqet kundër tij. Pa asnjë alternativë të menjëhershme për të zbutur krizën, ai mori vendimin strategjik për të sakrifikuar kryeministrin Millosh Vuçeviç në një përpjekje për të ruajtur postin e tij.
Dorëheqja nuk u njoftua nga vetë Vuçeviç, por nga Vuçiç, i cili u shfaq në një konferencë për shtyp përkrah kryetares së Kuvendit Ana Brnabiç dhe kryeministrit në ikje. Vuçiç e cilësoi dorëheqjen si fillimin e një riorganizimi të qeverisë, duke premtuar se do ndryshojë gati gjysma e administratës.
Kjo lëvizje u prit me mosbesim. Gjithsesi, ajo ishte befasuese, pasi protestuesit kishin kërkuar dorëheqjen e Vuçiç dhe jo të Vuçeviç. Duke sakrifikuar këtë të fundit, presidenti serb duket se po luan një lojë të përllogaritur, me përdorimin e dorëheqjes së vartësve të tij dhe ristrukturimin e qeverisë, si një strategji për të lehtësuar presionin publik, duke i blerë vetes më shumë kohë.
Largimi i Vuçeviç shënon dorëheqjen më të rëndësishme politike në Serbi që nga viti 1993, por a do të mjaftojë për të qetësuar protestuesit? Përgjigja duket se është jo. Demonstruesit e kanë vazhduar bllokadën e tyre 24-orëshe të kryqëzimit kryesor që lidh autostradën e Beogradit me Hungarinë, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Pas dorëheqjes së kryeministrit, ata paralajmëruan bllokada të tjera në ditët në vijim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Studentët serbë i kanë përshkallëzuar protestat e tyre, duke nisur një marshim prej 80 kilometrash drejt Novi Sadit, vendi i shembjes tragjike në stacionin e trenit.
Për më tepër, sindikata të ndryshme të punëtorëve, mësues, taksistë dhe fermerë u janë bashkuar tani demonstratave, duke e përforcuar më tej mospajtimin publik me Vuçic. Një nga kërkesat kryesore të protestuesve, është zbulimi i plotë i të gjitha dokumenteve në lidhje me rindërtimin e stacionit të trenit në Novi Sad, ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Ndërsa janë publikuar disa dokumente, duke zbuluar korrupsionin masiv, studentët mbeten ende të pakënaqur, edhe sepse shumë prej tyre janë përballur me dhunë gjatë protestave. Kërkesat e tyre shkojnë përtej transparencës.
Ata kërkojnë t’i jepet fund korrupsionit, vendosjen e shtetit të së drejtës, ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për sulmet ndaj protestuesve, rritjen e fondeve për arsimin dhe më e rëndësishmja dorëheqjen e Vuçiç si president.
Ndërkohë protestat kanë ndezur shpresa për një brez i ri politikanësh, duke sinjalizuar një ndryshim në peizazhin politik të shoqërisë serbe. Megjithatë, perspektiva e zgjedhjeve të parakohshme mbetet e pasigurt, pasi zgjedhjet e kaluara janë dëmtuar nga akuzat për manipulim votash të orkestruara nga partia e Vuçiç.
Në këto kushte, opozita ka të ngjarë të bojkotojë çdo palë zgjedhje të reja, dhe të kërkojë me ngulm një qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike. Duke pasur parasysh situatën aktuale, mbijetesa politike e Vuçiç mbetet e pasigurt.
Edhe pse ai gëzon një mbështetje të konsiderueshme si brenda dhe jashtë vendit, mungesa e ndonjë reagimi kuptimplotë ndërkombëtar ndaj krizës, ngre pikëpyetje të mëtejshme mbi të ardhmen politike të Serbisë.








