Politikani rus Roman Starovoit, të cilin Vladimir Putin e shkarkoi nga posti i ministrit të Transportit të vendit të hënën në mëngjes, është gjetur i vdekur disa orë më pas në rajonin e Moskës.
Gazeta Kommersant, duke cituar një burim të informuar mbi rastin tha se Starovoit kishte vdekur nga një plagë me armë zjarri. Andrey Kartapolov, kreu i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës Shtetërore, u tha gjithashtu gazetarëve se ish-ministri vdiq nga vetëvrasja.
Sipas Komitetit Hetues të Rusisë, trupi i Starovoit u gjet me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në makinën e tij në lagjen Odintsovo të rajonit të Moskës.
Agjencia tha në një deklaratë se hetuesit po punonin në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat dhe se teoria kryesore ishte vetëvrasja.
Përpara se të emërohej ministër i Transportit, Starovoit shërbeu si guvernator i rajonit Kursk të Rusisë, i cili kufizohet me Ukrainën, nga viti 2019 deri në vitin 2024.
Sipas 112, Alexey Smirnov, ish-zëvendës i Starovoit dhe pasardhës i tij si guvernator i Kurskut, ka dëshmuar kundër tij. Smirnov është aktualisht nën arrest në një çështje penale që përfshin përvetësimin e më shumë se një miliard rublave nga buxheti rajonal gjatë ndërtimit të strukturave mbrojtëse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Një burim pranë hetuesve shtetërorë rusë i tha Forbes Russia se Starovoit ishte vetëvrarë më shumë se një ditë më parë, me sa duket gjatë natës midis të shtunës dhe të dielës.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit u thanë gazetarëve në RBC se një pistoletë që Starovoit e kishte marrë si shpërblim nga Ministria e Brendshme Ruse në vitin 2023 u gjet në vendin e vdekjes së tij.
Megjithatë, ky rast ngre sërish dyshime mbi faktin nëse është vrëtetë një vetëvrasje apo vrasje nga shtetit. Kjo për shkak se që nga fillimi i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, shumë njerëz të lidhur me Rusinë, veçanërisht biznesmenë dhe zyrtarë, kanë vdekur në rrethana të dyshimta.
Të gjithë personat me pushtet dhe influencë, kanë pësuar incidentet që përfshijnë individë që kanë rënë nga dritaret në mënyrë të dyshimtë, kanë vrarë veten me armë dhe kanë vdekur papritur në aksidente. Të gjitha janë kategorizuar nga autoritetet ruse si vetëvrasje.






