Ministrja e re e Drejtësisë, Donika Gërvalla – Shwarz, e cila nuk e tha asnjë fjalë për zbulimin e fundit se shefi i saj në Qeveri, Albin Kurti, ka zhvilluar negociata sekrete me Serbinë për të njohur dokumentet e lëshuara nga institucionet paralele serbe, raportohet se është person i padëshiruar për qeverinë e Tiranës.
Gërvalla, e cila hesht përballë negociatave sekrete të Qeverisë Kurti me Serbinë, ka gjetur kohë të merret me një editorial që kryeministri Edi Rama e ka publikuar në bashkëautorësi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Gërvalla, e cila në qeverinë e shkuar mbante postin e shefes së diplomacisë deklaroi për televizionin publik në Prishtinë se “qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë se, atëherë kur Vuçiçin Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”.
Sikur të mos mjaftohej me këtë ministrja e kabinetit Kurti vijoi: “Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë, ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”.
Vetëm dy ditë pas kësaj interviste të Gërvallës, një burim brenda ministrisë së jashtme, që kërkoi te mbetet anonim, konfirmoi për Lapsi.al se shefi i tij Ferit Hoxha, i sapo emëruar në atë detyrë është urdhëruar nga Rama që të pamundësojë çdo vizitë zyrtare në Shqipëri për Gërvallën. Në zbatim të kësaj porosie, ministri i jashtëm Hoxha ka mbajtur të enjten një mbledhje online me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vendet e rajonit.
Në një editorial të përbashkët në gazetaren e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Rama dhe Vuçiç i kërkonin BE anëtarësim në Hapësirën Shengen dhe Tregun Unik, por pa të drejtë vetoje dhe pa pasur ministra në Komision dhe eurodeputetë në parlament.









