Ndërsa po intensifikohen negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, vëmendja kryesore është përqendruar te rajoni i Donbasit – Donetsku dhe Luhansku, zona industriale e dikurshme e Bashkimit Sovjetik, me miniera qymyri, uzina çeliku, tokë pjellore dhe dalje në Detin Azov.
Historikisht, Donbasi ka qenë pjesa më “ruse” e Ukrainës, me një pakicë të madhe rusishtfolëse dhe shpesh në konflikt me qeverinë e Kievit. Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, këtu shpërtheu kryengritja e milicive pro-ruse, e mbështetur nga tanket e Moskës, që çoi në luftë të përgjakshme dhe mbi 14 mijë të vrarë. Më shumë se 1.5 milion ukrainas u larguan nga rajoni, ndërsa Rusia shpërndau pasaporta për qindra mijëra banorë nën kontrollin e separatistëve.
Në shkurt 2022, një ditë para pushtimit të plotë, Vladimir Putin njohu Donetskun dhe Luhanskun si shtete të pavarura dhe më pas i aneksoi zyrtarisht, bashkë me Zaporizhzhian dhe Khersonin, përmes referendumeve të manipuluara dhe të paligjshme. Për Kremlinin, tërheqja nga këto territore të shpallura “tokë e shenjtë ruse” është shumë më e vështirë sesa tërheqjet e mëparshme në veri të Ukrainës.
Sot Rusia kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun dhe mbi 70% të Donetskut, por qytetet kyçe industriale si Sloviansk, Kramatorsk dhe Kostiantynivka mbeten “fortesa” të mbrojtjes ukrainase. Për Presidentin Zelensky, dorëzimi i këtyre tokave do të ishte vetëvrasje politike dhe shkelje e kushtetutës, pasi mbi 75% e ukrainasve refuzojnë çdo kompromis territorial.
Për Evropën, pranim i një marrëveshjeje që legjitimon aneksimin rus do të thotë rrëzim i parimit themelor të rendit ndërkombëtar: agresioni nuk mund të shpërblehet me territor. Donbasi mbetet kështu jo vetëm epiqendra e ambicieve të Putinit, por edhe prova më e madhe e vendosmërisë së Perëndimit për të mbrojtur sovranitetin dhe rregullat e lojës ndërkombëtare. /Përshtatur nga “CNN”











